Ja si spiunët e rekrutuar nga rusët sabotojnë ndihmën e Perëndimit për Ukrainën

Nga Karolina Jeznach, Thomas Grove & Bojan Pancevski “Wall Street Journal”

Varshavë – Me pak para dhe i mbetur edhe pa punën e fundit me një pagë minimale, refugjati ukrainas Maksim Leha, në atë kohë 22 vjeç, sapo kishte gjetur një mënyrë të re për ta përballuar jetesën në shtëpinë e tij të re në Poloni.

Vendi i punës i shpallur në aplikacionin e mesazheve Telegram në fillim të vitit 2023, nuk dukej se kërkonte ndonjë mundim të madh:Të shkruante parulla të ndryshme anash autostradave për 7 dollarë copa. Kur Leha u përgjigj, i shkroi sërish një burrë që u prezantua si Andrzej.

Brenda pak ditësh, ky i fundit i shtoi kërkesat:Leha po vendoste kamera përgjatë linjave hekurudhore që transportonin ndihma ushtarake perëndimore në Ukrainën fqinje. Disa javë më vonë, Leha dhe 15 të tjerë u arrestuan në rastin më të madh të spiunazhit në historinë e Polonisë.

U zbulua se Andrzej ishte përfaqësues i një njësie të inteligjencës ruse, e cila po rekrutonte njerëz të tillë si Leha – hallexhinj që synonin të bënin shpejt para – për punë spiunazhi që nga fundi i vitit 2022. Në fund të vitit të kaluar, Leha u dënua me 6 vjet për akuzat e spiunazhit, pas një gjyqi në të cilin ai u cilësua si drejtues grupi.

“Ishin para të kollajta”- deklaroi Leha së fundmi nga një burg i qytetin polak Lublin, i veshur me uniformën e kuqe, që zakonisht u jepet të burgosurve që konsiderohen si më të rrezikshëm. Mbetet e paqartë nëse informacioni i dhënë nga Leha dhe rekrutët e tjerë, ndikoi drejtpërdrejt në sulmet ruse mbi dërgesat e armëve perëndimore që kanë kaluar rregullisht në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.

Por zyrtarët perëndimorë, thonë se Rusia ka kombinuar me sukses pamjet video me përpjekjet më të sofistikuara, si vëzhgimi satelitor për të gjurmuar dërgesat e pajisjeve dhe municioneve nga Polonia dhe gjetkë për në magazinat sekrete në Ukrainë, ku ato janë goditur nga dronë dhe raketa me saktësi të lartë.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake perëndimore tha:”Nuk mund t’i marrim lehtë përpjekje të tilla. Ato janë pjesë e një morie mjetesh të mbledhjes së inteligjencës, që e kanë ndihmuar Rusinë të shkatërrojë materialet tona kryesore me investime minimale”.

Rasti i këtij rrjeti spiunazhi, na ofron një hapësirë për të parë përpjekjet e reja të Moskës për të forcuar aftësitë e saj të spiunazhit në Evropë, ndërsa Kremlini po përgatitet për një përballje të gjatë me Perëndimin. Një pjesë e rrjetit të saj u godit, kur më shumë se 600 diplomatë rusë u dëbuan disa javë pas pushtimit të vitit 2022.

Britania e Madhe ka thënë se 2/3 e të dëbuarve nga Evropa kanë qenë spiunë. Tani Rusia po përdor platforma si Telegram për të rekrutuar njerëz të rinj, me shumë probleme, shpesh emigrantë dhe kryesisht burra, për të ndërmarrë akte të zakonshme por të dëmshme të spiunazhit dhe sabotimit.

Kjo qasje me kosto dhe rrezik të ulët për shërbimet e spiunazhit të Moskës, i jep mundësi Rusisë të ushqejë ndjenjat anti-perëndimore dhe të mbledhë të dhënat shumë rëndësishme, ndërsa mund të lejojë edhe kapjen e rekrutëve. “Tani rusët po përpiqen të rindërtojnë aftësitë e tyre”-thotë Jaçek Dobrzinski, zëdhënës i koordinimit të shërbimeve speciale të Polonisë.

Javët e fundit, janë zbuluar një mori rastesh të ngjashme spiunazhi. NATO bëri thirrje këtë muaj për të pasur kujdes nga një “një fushatë të shtuar të Rusisë në të gjithë zonën euro-atlantike”. Policia britanike arrestoi në prill 5 burra për djegien e një magazine të lidhur me ndihmat në Ukrainë, si dhe për ndihmën ndaj Rusisë për të identifikuar objektiva të tjerë të mundshëm që synohen të sabotohen.

Ndërkohë vitin e kaluar, u ndaluan disa spiunë bullgarë që dyshohej se vëzhgonin instalimet ushtarake të Britanisë së Madhe. Disa javë më parë, autoritetet në Gjermani arrestuan 2 shtetas gjermano-rusë, të akuzuar se i kishin dërguar Moskës foto dhe video të infrastrukturës ushtarake.

Zyrtarët perëndimorë të sigurisë, dyshojnë se Rusia është përgjegjëse për shkatërrimin e kabllove nënujore të internetit dhe tubacioneve të gazit natyror, sulmet në hekurudha dhe planet për të goditur komplekset ushtarake. Kremlini i ka mohuar të gjitha akuzat.

“Ne dëgjojmë vazhdimisht akuza të pabaza kundër nesh. Por i refuzojmë ato”- thotë zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peshkov. Rasti polak, i përmbledhur në qindra faqe dokumentesh nga hetimi dhe një intervistë me Lehan, na ofron një pamje të rrallë mbi fushatën e re të Rusisë.

Leha e kaloi kufirin me Poloninë në fundin e vitit 2021, 5 muaj para pushtimit rus. Ai gjeti punë si arkëtar në një supermarket, por shumë shpejt nisi të kërkojë mënyra më të lehta për të fituar para. Pas një kohe të shkurtër duke transportuar emigrantë të paligjshëm në Hungari, një punë që e gjeti në Telegram dhe për të cilën u kap dhe bëri 3 muaj burg, ai hasi rastësisht në reklamën e Andrzej.

Leha dëshmon tani nga qelia, se dyshoi që në fillim se ai do të ishte pjesë e një operacioni të shërbimeve sekrete ruse. Maksim kishte një arsimim minimal, një dosje kriminale në rritje, dhe paratë e ndihmuan të shpërfillte shqetësimet mbi tradhtinë e atdheut të tij. Andrzej e pagoi Lehën për të shkruar qindra herë slogane të tilla si “Stop NATO-s”.

Pas çdo pune, Andrzej e paguante me kriptomonedhat Bitcoin ose Ethereum. Shumë shpejt Andrzej kishte për të një detyrë më të rëndësishme:t’i vinte zjarrin ambienteve të një kompanie ukrainase të transportit në qytetin lindor polak, Biala Podlaska.  

Por kur Leha mbërriti atje, u kujtua këshilla e babait të tij që “të mos e ndërtonte lumturinë e tij mbi fatkeqësinë e dikujt tjetër”. Ndaj ai fërkoi disa copa qymyr në gardh, për ta bërë atë të dukej i dëmtuar nga zjarri, shkrepi një foto dhe ia dërgoi Andrzej. Ndërsa kërkesat po shtoheshin, Andrzej i premtoi Lehës një makinë dhe i transferoi disa qindra dollarë në kriptomonedha, të cilat Leha i përdori për të blerë një Mazda 6 GG.

Andrzej mbeti një shifër. Ai bisedonte me Lehën në rusisht dhe ukrainisht. Por nga mënyra e përdorimit të gjuhës, Leha supozonte se ai ishte ukrainas. Gjatë telefonatave, Leha kuptoi se Andrzej ishte dy orë përpara Polonisë, pra në zonën kohore të Moskës. Ai i tha se synimi “është të tregojmë se njerëzit janë mërzitur me këtë luftë, dhe të shkaktojmë një jehonë të madhe brenda shoqërisë”.

Ndërkohë, Andrzej po rekrutonte emigrantë të tjerë të rinj në Poloni. Njëri ishte Maksim Sergejev, 20-vjeç që kishte ardhur nga një qytezë në periferi të Moskës për të luajtur hokej për ekipin polak Zaglebie Sosnoviec. Njerëzit që e njihnin thanë se kur mbërriti në vitin 2021, kishte mësuar polonisht gati në mënyrë të përsosur dhe ishte miqësuar me pjesën më të madhe të ekipit.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën vitin e ardhshëm, ai nënshkroi një deklaratë ku distancohej nga lufta. Por si shumë lojtarë të rinj të hokejit në Poloni, Sergejev vuante vazhdimisht nga mungesa e parave. Gjatë punës si shpërndarës ushqimesh u aksidentua gjatë ecjes me biçikletë.

Kur u arrestua disa muaj më vonë, policia zbuloi një bisedë në grup me Andrzej dhe dhjetëra foto dhe video në celularin e tij të dy stacioneve kryesore të trenit të Varshavës, qyteteve në Poloninë lindore dhe kalimit kufitar Malhovice-Nizankovice. Po ashtu, Andrzej rekrutoi një studente nga Bjellorusia dhe një adoleshente nga Ukraina.

Një tjetër pjesëtar i grupit, Oleksi Pronkin, një i ri ukrainas, kishte për detyrë të bënte foto të Akademisë Detare Polake në qytetin bregdetar Gdinia, dhe të një baze detare aty pranë në Detin Baltik. Po ashtu, ai i dërgoi Andrzej foto të një terminali portual tregtar dhe një depoje municioni aty pranë.

Në dhjetor 2023, Pronkin u dënua me 2 vjet e 2 muaj burg për akuzën e spiunazhit dhe anëtarësimit në një grup kriminal. Për punën e fundit, Andrzej e lidhi Lehan me Artem Averban, një refugjat ukrainas 19-vjeçar. Ai u kërkoi të vendosnin kamera përgjatë linjave hekurudhore që transportonin ndihma ushtarake perëndimore në Ukrainë.

Në fillim ata ndaluan në Jasionka, aeroportin në periferi të Rezov dhe pika e tranzitit për pjesën më të madhe të ndihmës së SHBA-së në shkon në Ukrainën. Në pyllin ngjitur me aeroportin, Leha vendosi një kamera pas një peme. Averba i tregoi policisë se ai qëndroi në makinë, ndërsa Leha po bënte punën.

Disa km më në lindje, ata vendosën një kamerë tjetër para shinave të trenit midis Rezov dhe vendkalimit kufitar Medika “për të mbikëqyrur ndihmën ushtarake që shkon në Ukrainë”, tha Averba më vonë gjatë marrjes në pyetje. Më pas, të dy ndanë të dhënat e llogarisë së kamerës me Andrzej përmes një aplikacioni të përbashkët MyHome, duke iu dhënë të treve qasje për t’i parë pamjet në kohë reale.

Rrugës së kthimit për në Varshavë, Leha tha se ndihej gjithnjë e më i shqetësuar dhe mendonte ta braktiste këtë punë. “Por unë nuk u thashë të tjerëve në grup, pasi nuk u zija besë”- shton Leha, tani 23 vjeç, nga burgu i Lublinit. Në udhëtimin e tij të fundit më 3 mars, për të vendosur kamera rreth qytetit Kazimierz Dolni, ai parkoi Mazda-n e tij pranë varrezave të vjetra hebreje të qytetit.

Kur po bëhej gati të hipte në makinën e tij, të paktën 7 oficerë të kundërzbulimit ndërhynë me shpejtësi dhe e arrestuan. Nga 16 të arrestuarit, 14 kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke pranuar akuzat për spiunazh, në këmbim të dënimeve me burg nga 9 muaj deri në 6 vjet.

Leha e refuzoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, me shpresën se mos marrë një dënim më të lehtë, për atë që ai e quan bashkëpunimin e tij me autoritetet. Kur u pyet nëse ndjen keqardhje për bashkëpunimin me rusët, ai qëndroi i heshtur për një moment dhe më pas tha prerë: “Ndihem shumë keq për atë që kam bërë. Askush nuk i pëlqen tradhtarët!”.