Izraeli ka konfirmuar zyrtarisht një sulm ajror në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke thënë se objektivi i tij ishte udhëheqja e lartë e Hamasit.
Operacioni, i realizuar në bashkëpunim me agjencinë e sigurisë Shin Bet, synonte eliminimin e figurave kryesore të grupit, të cilët, sipas Tel Avivit, kishin udhëhequr aktivitetet e Hamasit për vite me radhë, shkruajnë mediat e huaja.
Ushtria izraelite deklaroi se do të vazhdojë veprimet kundër Hamasit “deri në mposhtjen e plotë të tij”. Sulmi vjen vetëm disa ditë pasi shefi i ushtrisë Eyal Zamir paralajmëroi vrasjen e udhëheqësve të Hamasit jashtë Gazës.
Vetëm pak orë para ngjarjes, ministri i Jashtëm Gideon Saar tha se Izraeli kishte pranuar një propozim armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA.
Një burim i Hamasit i tha Al Jazeera-s se udhëheqësit e grupit u sulmuan pikërisht gjatë një takimi ku diskutohej ky propozim. Shpërthimet e fuqishme që u dwgjuan në Doha shkaktuan panik mes banorëve.
Ndërkohë Katari e ka quajtur sulmin izraelit ndaj selisë së Hamasit në Doha si shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.
“Është një shkelje flagrante e të gjithë ligjit ndërkombëtar”, thuhet në një deklaratë qeveritare të transmetuar nga televizioni Al-Jazeera.
Sipas burimit, qeveria e Katarit ka hapur një hetim “të menaxhuar nga nivelet më të larta” të institucioneve të vendit.