Italia i thotë “JO” Bordit të Paqes së Trump

Italia nuk do të marrë pjesë në nismën “Bordi i Paqes” të Presidentit amerikan Donald Trump, raportoi të mërkurën e përditshmja Corriere della Sera, duke cituar shqetësimin se pjesëmarrja në një grup të udhëhequr nga lideri i një shteti të vetëm do të shkelte Kushtetutën italiane.

Plani i Trump deri tani ka nxitur reagime të kujdesshme nga aleatët perëndimorë, pasi diplomatët paralajmërojnë se ai mund të minojë punën e Kombeve të Bashkuara.

Të enjten, Trump pritet të kryesojë një ceremoni në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, për të festuar krijimin e grupit të ri.

Një burim i tha Reuters se kryeministrja italiane Giorgia Meloni, një lidere e krahut të djathtë që ka pasur marrëdhënie të mira me Trump, nuk ka gjasa të marrë pjesë në Davos. Qeveria italiane nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Bordi i propozuar do të drejtohej përjetë nga Trump dhe fillimisht do të fokusohej në konfliktin në Gaza, përpara se të zgjerohej në luftëra të tjera. Vendet anëtare do të duhet të paguajnë një tarifë prej 1 miliard dollarësh secili për të siguruar anëtarësim të përhershëm.

Sipas Kushtetutës së Italisë, vendi mund të bashkohet me organizata ndërkombëtare që garantojnë “paqen dhe drejtësinë mes kombeve” vetëm “në kushte të barabarta me shtetet e tjera”, një kusht që bie ndesh me primatin e SHBA-së në bordin e ri, shkruan Corriere della Sera.

Gazeta nuk citoi burime konkrete për raportimin e saj.

Ftesat për t’iu bashkuar bordit u janë dërguar rreth 60 shteteve, por vetëm pak prej tyre, përfshirë Hungarinë dhe Izraelin, e kanë pranuar deri tani pa rezerva. Duke shtuar shqetësimin mes aleatëve perëndimorë, Kremlini deklaroi këtë javë se edhe presidenti rus Vladimir Putin ishte ftuar.