Ministria e Brendshme e Italisë po përgatit listën e emigrantëve që do të transferohen në kampin në Gjadër. Mediat italiane bëjnë me dije se emigrantët që do mbërrijnë do të qëndrojnë ndërsa bëhet fjalë për persona në pritje të dëbimit, të mbajtur tashmë në qendra të tjera italiane të riatdhesimit.
Në orët e fundit, Departamenti i Lirive Civile dhe Imigracionit i Ministrisë së Brendshme, i drejtuar nga prefektja Rosanna Rabuano, ka punuar për listën e emigrantëve që konsiderohen më të përshtatshëm për t’u transferuar në Shqipëri.
Mediat në vendin fqinj shkruajnë se kombësitë e emigrantëve që mund të transferohen në Gjadër janë tunizianë, egjiptianë, marokenë, por edhe shqiptarë. Në mënyrë paradoksale, edhe emigrantët e parregullt shqiptarë mund të përfundojnë në Gjadër, duke pritur që të pranohen nga qeveria në Tiranë.
Për ta, riatdhesimi aktual do të ishte më i lehtë dhe sigurisht më pak i kushtueshëm: do të ishin të vetmit që mund të liroheshin në territorin shqiptar.
Për të gjithë të tjerët, sipas rregullave të vendosura me kryeministrin Edi Rama në protokollin në fuqi, do të duhet sërish kthimi në Itali përpara se të nisin me procedurat e riatdhesimit.
“Prandaj është thelbësore që Italia të forcojë marrëveshjet ekzistuese për të shmangur efektin bumerang të versionit të ri të Operacionit Albania, në rast se emigrantët e sjellë atje do të qëndronin për muaj të tërë pa u dërguar më pas në shtëpi”, raporton La Reppublica.