Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-efektivit të Forcave Operacionale, Jeton Lami, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lezhës, e cila e dënoi me 2 vite e 10 muaj burg për veprën penale “shpërdorim detyre”.
Ai u arrestua pas publikimit të pamjeve ku shfaqej duke shoqëruar Ervis Martinajn, në një kohë kur ky i fundit ishte në kërkim ndërkombëtar.
Ervis Martinaj, i cilësuar si mbreti i lojërave të fatit rezulton i zhdukur prej gushtit 2022.
Vendimi me burg i Lamit ishte konfirmuar më herët edhe nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm.
Emri i Ervis Martinajt është përmendur në hetime për përfshirje në krime të rënda, përfshirë akuzat nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani për porositjen e një vrasjeje që kapte vlera prej mijëra eurosh.
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, Martinaj ishte gati të paguante rreth 500 mijë euro për “kokën” e Endrit Dokles.