Ish-shefi i Antidrogës në Durrës, Gazmir Preçi dënohet me 2 vjet e 4 muaj burg për korrupsion

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor shefin e Antidrogës në Durrës, Gazmir Preçi për korrupsion pasiv, pasi kishte marrë një shumë prej 10.000 euro nga një shtetas me inicialet B.T., në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve në një lokal ku zhvillohej aktiviteti “muzikë live” dhe punësoheshin shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), çështja është gjykuar me procedurë të shkurtuar dhe Gjykata vendosi dënimin e Preçit me 3 vjet e 6 muaj burg. Pas uljes së një të tretës së dënimit, ai do të vuajë përfundimisht 2 vjet e 4 muaj burg.

Përveç burgut, Gjykata vendosi që Preçit t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë pesëvjeçare.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar materiale të shumta, përfshirë DVD dhe CD me pamje filmike dhe biseda të përgjuara, si dhe dy telefona celularë.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 170, të vitit 2024, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi 2 i Kodit Penal”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 50, datë 14.07.2025 vendosi:

1.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Gazmir Preçi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi i 2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Gazmir Preçi me 2 vjet e 4 muaj burgim.

Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gazmir Preçi për 5 (pesë) vjet.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal si dhe nenin 15 të Ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Gazmir Preçi do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit në flagrancë të tij, datë 15.08.2024 dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

2. Në lidhje me provat materiale në bazë të nenit 36 të Kodit Penal dhe nenit 190 të Kodit të Procedurës Penale,

– Një DVD që shoqëron raportin përmbledhës i mbikëqyrjes së fshehtë, datë 16.08.2024; një CD që shoqëron raportin mbi transkiptimin e bisedave audio; 2 CD që mbajnë pamjet filmike të sekuestruara pranë subjektit tregtar “Auto 555” dhe supermarket “Aldi”, si dhe 8 DVD që përmbajnë pamjet filmike të sekuestruara pranë DVP Durrës, të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.

– 2 aparate telefonike të shtetasit Gazmir Preçi, telefon i markës “Iphone 15” me ngjyrë gri me kapak transparent me nr. Sim të operatorit telefonik “Vodafone”, i Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al mbyllur me kod dhe telefon i markës “Iphone 11” me ngjyrë të zezë, me kapak me ngjyrë portokalli me logo si të një katrori, me nr. Karte sim **** të operatorit telefonik “Vodafone”, i mbyllur me kod, t’i kthehen shtetasit Gazmir Preçi, konform nenit 190/1 gërma “ç” të K.Pr.Penale.

3. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak në shumën 2207.11 lekë, të seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, sipas procesverbalit bashkëlidhur këtij vendimi, i ngarkohet të pandehurit.

4. Kundër këtij vendimi lejohet apel brenda afatit ligjor, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.