Ish ministri Gjiknuri dha koncension shtesë për pronarët e inceneratorëve

Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj ish zëvëndëskryeministrit, Arben Ahmetaj e dorëzuar në Kuvend përmban edhe emra të tjerë zyrtarësh të lartë të implikuar. Mes tyre, ishte edhe emri i numrit dy të Partisë Socialiste dhe ish ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri. SPAK konfirmon se ka zbuluar dy rezervime hotelesh luksoze për Gjiknurin në Vjenë dhe Frankfurt. Ish ministri e mohoi dje këtë fakt.

Por, para një viti e gjysëm, në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët, Damian Gjiknuri tha se nuk ka afërsi me pronarët e inceneratorëve, dhe vetëm njërin “e njeh për fytyrë”. Por më herët, Partia Demokratike zbuloi përmes sistemit TIMS se Damian Gjiknuri bashkë me Ahmetajn kanë udhëtuar dy herë në të njëjtin avion me pronarët e inceneratorëve.

Gjatë punimeve të komisionit, Gjiknuri tha se me vullnet të plotë ai u dha koncension të dytë pronarëve të inceneratorëve për impjantin e Elbasanit. 

“Unë si ministri, në momentin që mora vesh që ka një iniciativë të tillë, dhashë ok në parim sepse nuk implikonte autoritetin kontraktor, ministrinë në këtë rast, dhe e dyta, më pëlqente fakti që Shqipërisë do i shtohej një burim i ri i prodhimit të energjisë elektrike. Në të gjithë botën, incenerimi i plehrave shoqërohet me prodhim energjie elektrike. Sepse është gjëja më normale. Gjithë problemi është si të zbusësh kostot e manaxhimit të mbetjeve”, tha Gjiknuri.

Ish ministri, Damian Gjiknuri, miratoi aktin e koncensionit në tetor të 2016 për ndërtimin dhe shfrytëzimin e impiantit me rekuperim energjie nga trajtimi i mbetjeve urbane në Elbasan. Koncensioni parashikonte që  kompania “Albtek Energy”, me afat 25-vjeçar, të kishte një koncension për 25 vjet, me taksë 2 %, si dhe të përfundonte ndërtimin për 18 muuaj. Ky ndërtim nuk ndodhi ndërsa opozita pretendoi se janë shmangur detyrimet ligjore në këtë koncension.

Ndërkohë, SPAK, të paktën zyrtarisht, nuk ka ushtruar hetim të thelluar ndaj pasurisë së Gjiknurit ashtu siç bëri me Ahmetaj.

Dokumenti i PD mbi udhëtimet e Gjiknurit, Ahmetaj dhe pronarëve të inceneratorëve