Ish-deputeti i LSI (aktualisht Partia e Lirisë) dhe ish këshilltari i Ilir Metës, Ralf Gjoni është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e SPAK.
Nuk dihet ende arsyeja e thirrjes së ish-deputetit në SPAK. Partia e Lirisë pjesë e të cilës ka qenë Ralf Gjoni disa vite më parë ndodhet në një fazë riformatimi.
Prokuroria e Posaçme ka disa dosje në shqyrtim dhe hetim rreth ish-drejtuesve dhe drejtuesve të LSI, sot Partia e Lirisë, aktualisht kryetarit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Një prej çështjeve është edhe vjedhja në zyrat e PL, sikurse skandali CEZ-DIA apo problemi i pasurisë. Ish-presidenti e ka sulmuar ashpër javët e fundit SPAK-un dhe kreun e tij Altin Dumani, teksa u kritikua nga ndërkombëtarët.
Ralf Gjoni në zgjedhjet e 2009 u bë zëdhënësi i fushatës së LSI-së që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta. Ai që nga viti 2012 ka qenë anëtar i strukturave drejtuese të LSI-ë, ndërkohë ka mbajtur dhe postin se Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë forcë politike.
Gjithashtu, Ralf Gjoni ka qenë këshilltari i Ilir Metës, kur ky i fundit ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Ai mori mandatin e deputetit në mars 2021, pas djegies së mandateve nga opozita.