Irani i përgjigjet Trump: Nuk do të lejojmë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit

Ushtria iraniane deklaroi se nuk do të lejojë Shtetet e Bashkuara të “ndërhyjnë në administrimin” e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Deklarata vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë se SHBA “me shumë gjasa do ta administrojë” këtë korridor strategjik. “Ne po marrim nën kontroll ngushticën. Ata nuk kanë asgjë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, SHBA dhe Irani kanë vazhduar shkëmbimin e sulmeve. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka përfunduar valën e fundit të sulmeve ndaj objektivave në Iran, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve tregtare që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas faqes për monitorimin e trafikut detar MarineTraffic, një numër i kufizuar anijesh vazhdojnë të lëvizin në këtë rrugë ujore, por trafiku mbetet i kufizuar.

Javën e kaluar, Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit kishte “marrë fund”, ndërsa e cilësoi udhëheqjen iraniane si “llum”.

Nga ana tjetër, Irani pretendon se po godet baza ushtarake amerikane në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt, si edhe sisteme radarësh në Oman. Bahreini ka akuzuar Iranin se ka shënjestruar civilë.