Evropa regjistroi 10 mijë vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit

Më shumë se 10 mijë vdekje shtesë janë regjistruar në vendet europiane gjatë valës rekord të të nxehtit që përfshiu pjesën perëndimore të kontinentit në fund të muajit qershor, sipas të dhënave zyrtare.

Pjesa dërrmuese e viktimave, mbi 9 mijë persona, ishin të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, një rrjet i mbështetur nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë vdekje përmes goditjes nga nxehtësia ose duke përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, ndërsa të moshuarit konsiderohen grupi më i rrezikuar.

“Një nivel i tillë i vdekjeve të tepërta në këtë periudhë të vitit është i pazakontë. Është një shifër shumë e lartë”, tha Lasse Vestergaard, mjek kryesor në Institutin Shtetëror të Serumit të Danimarkës, institucioni që administron EuroMOMO.

Sipas tij, është e vështirë të gjendet një shpjegim tjetër për këtë rritje të lartë të vdekshmërisë, përveç temperaturave ekstreme.

Shkencëtarët kanë deklaruar se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të ishte “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më intensive.

Të dhënat, të mbledhura nga statistikat kombëtare të vdekshmërisë në 27 vende europiane, përfshijnë vdekjet nga të gjitha shkaqet dhe jo vetëm ato të lidhura drejtpërdrejt me temperaturat e larta.

Ato i referohen periudhës 22–28 qershor, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani dhe vende të tjera.

Ekspertët theksuan se nuk kishte faktorë të tjerë madhorë të njohur, si për shembull shpërthime të COVID-19, që mund të shpjegonin rritjen e menjëhershme në 10,650 vdekje të tepërta gjatë asaj jave.

Në tetë javët para kësaj periudhe, numri mesatar i vdekjeve në të njëjtat vende europiane ishte rreth 500 më i ulët në javë krahasuar me nivelet tipike. Të dhënat e EuroMOMO mund të rishikohen në javët në vijim, pasi të shtohen informacione të reja.

Vala ekstreme e të nxehtit në fund të qershorit shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike, mbyllje shkollash dhe thyerje rekordesh temperaturash në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

EuroMOMO nuk publikon të dhëna të ndara për çdo shtet, por bëri të ditur se Franca dhe Belgjika ishin dy vendet e vetme europiane që regjistruan nivele “shumë të larta” të vdekshmërisë së tepërt në javën e fundit të qershorit.

Në Belgjikë, niveli i vdekjeve të tepërta ishte më i larti i regjistruar gjatë një vale të nxehti që nga viti 2000, sipas institutit kombëtar të shëndetit publik Sciensano.

Një studim tjetër shkencor, i publikuar të hënën, vlerësoi se rreth 2,700 persona humbën jetën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë në Angli dhe Uells vetëm gjatë valëve të të nxehtit në muajt maj dhe qershor.

Sipas këtij studimi, 42% e këtyre vdekjeve lidhen me rritjen shtesë të temperaturave të shkaktuar nga ngrohja globale, sipas analizës së kryer nga Imperial College London, Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine.