Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me investigimin e Rai 3, ku në një reportazh analizohej marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët por që tregonte edhe korrupsionin e madh në vendin tonë, si dhe lidhjet e pushtetit me organizatat kriminale dhe me trafikantët e drogës.
Në kërkesën e depozituar theksohet se në datën 22 Prill 2024, emisioni “Report” në televizionin publik italian RAI 3 ka publikuar një investigim për lidhjet e forta të krimit të organizuar me qeverisjen e Edi Ramës.
Sipas PD, në këtë investigim paraqiten informacione dhe të dhëna konkrete lidhur me vëllain e kryeministrit, Olsi Ramën dhe përfshirjen e tij në aferën e narkotrafikut të Laboratorit të Xibrakës. Po ashtu, investigimi paraqet fakte dhe të dhëna mbi lidhjet dhe njohjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi me eksponentë të krimit të organizuar shqiptar dhe italian.
“Në këto kushte, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me shqetësimet e paraqitura në përmbajtje të investigimit të emisionit “Report”, në televizionin italian RAI 3, si dhe ndërhyrjen tek drejtuesit e këtij televizioni lidhur me këtë investigim nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama” – thuhet në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.