Intervista/Svietllana Cikanuskaja:Diktatorët s’mund të riedukohen, ndaj tyre vetëm luftohet

Nga Athanasios Katsikidis “Kathimerini”

“Bjellorusia është një element vendimtar për Putinin, por edhe hallka e tij më e dobët” , thotë në një intervistë për “Kathimerini”, politikania në mërgim dhe udhëheqësja e opozitës bjelloruse Svetllana Cikanuskajka. Duke folur në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin të Nëntë Ekonomik të Delfit, kundërshtarja e presidentit bjellorus, Aleksandër Llukashenko, flet mbi situatën e kaotike por dhe autoritare në Bjellorusi.

Pas burgosjes së bashkëshortit të saj Sergei Cikanovski, ajo u përball me Llukashenkon në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ku ky i fundit mori 81.04 për qind të votave dhe formoi një qeveri të re. Cikanuskaja pretendoi se kishte fituar me të paktën 60 për qind të votave. Vlefshmëria e atyre zgjedhjeve, u vu në dyshim edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Si e vlerësoni ecurinë e luftës, bazuar në deklaratën tuaj se fatet e Ukrainës dhe Bjellorusisë janë të ndërthurura midis tyre?

Mendoj se ky dhe viti i ardhshëm do të jenë vendimtarë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Bjellorusinë. Fatet e vendeve tona janë vërtet të ndërthurura, jo vetëm për shkak të historisë dhe vlerave tona të përbashkëta, por edhe për shkak të situatës aktuale gjeopolitike.

Fitorja e plotë për Ukrainën dhe ndërtimi i një Bjellorusie demokratike, janë që të dyja hapa vendimtarë drejt garantimit të paqes dhe sigurisë në rajon. Diktatorët shpresojnë se demokracitë do të lodhen, se do të lodhen nga Bjellorusia dhe Ukraina. Se pas një farë kohe gjërat do të rikthehen siç kanë qenë. Por bota demokratike duhet të kuptojë, se diktatorët nuk mund të zbuten dhe as riedukohen. Ata vetëm mund të luftohen.

Ukraina duhet të rimarrë të gjitha territoret e saj. Dhe ne duhet ta mbështesim atë në këtë synim. Në rast se bëjmë një kompromis në këtë aspekt, kjo vetëm sa do të trimërojë Putinin. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë për të dobësuar Putinin dhe Llukashenkon.

Edhe Bjellorusia duhet të jetë e lirë. Nëse mbetet nën diktaturë, do të jetë një kërcënim i vazhdueshëm për Ukrainën dhe gjithë Evropën. Pa Bjellorusinë, Putini nuk është në gjendje ta ndryshojë situatën në Ukrainë, dhe nuk do të jetë në gjendje të nisë pushtimet e reja në vendet e Bashkimit Evropian.

Bjellorusia është një element thelbësor për Putinin, por edhe hallka e tij më e dobët. Nëse e ndryshojmë situatën në Bjellorusi – dhe unë jam e sigurt se kjo gjë është e mundur – mund të ndryshojë e gjithë rrjedha e ngjarjeve, të dobësohet Putini dhe ta ndihmojë Ukrainën që të fitojë.

Që nga viti 2020, bashkëshorti juaj Sergei ndodhet në burg, ndërsa ju jetoni në mërgim në Lituani dhe Poloni. Cila është situata aktuale në Bjellorusi, dhe si i trajton regjimi i Llukashenkos kundërshtarët e tij?

Situata në Bjellorusi mbetet e rëndë. Regjimi i Llukashenkos po vazhdon, madje e ka forcuar shtypjen e tij të pamëshirshme kundër popullit tonë. Çdo ditë njerëzit arrestohen edhe për aktet më të vogla të kundërshtimit, qoftë edhe vetëm për të një donacion që kanë bërë për Ukrainën, apo vetëm pse kanë bërë një pëlqim për diçka në mediat sociale.

Prej më shumë se një viti, unë nuk kam asnjë lajm nga bashkëshorti im. Ai mbahet tërësisht i izoluar si shumë të tjerë. As që e di nëse është gjallë. Kushtet për të burgosurit politikë janë të tmerrshme. Ka shumë raportime për tortura, trajtim çnjerëzor dhe për mungesë të kujdesit mjekësor.

Vetëm këtë javë, një tjetër i burgosur që u ndalua me akuzën e fyerjes së Llukashenkos vdiq në burg. Ishte vdekja e gjashtë e dikujt të arrestuar për arsye politike. Në rast se nuk veprojmë me vendosmëri, mund të vdesin shumë të tjerë.

Vitin e kaluar, një gjykatë bjelloruse ju dënoi në mungesë me 15 vjet burg. Vetë Llukashenko ka bërë deklarata provokuese kundër jush. A keni marrë kërcënime me vdekje, a ka pasur tentativa për vrasje ndaj jush dhe bashkëpunëtorëve tuaj?

Unë e kuptoj shumë mirë që puna ime mbart një rrezik personal. Por rreziqet do të jenë shumë më të mëdha nëse nuk bëjmë asgjë. Unë nuk mendoj për veten time, por për të gjithë ata brenda vendit tim, që janë gjatë gjithë kohës në rrezik. Fatkeqësisht, kërcënimi i dhunës, duke përfshirë tentativat për vrasje, është një realitet.

Komuniteti ndërkombëtar, duhet t’i njohë këto akte për atë që janë:përpjekjet e një regjimi autoritar për të shtypur aspiratat demokratike të popullit bjellorus. Solidariteti, mbështetja dhe veprimet konkrete nga komuniteti global, janë thelbësore në mbrojtjen e jetëve të atyre që mbrojnë demokracinë dhe lirinë në Bjellorusi.

Kontaktet e ngushta të Llukashenkos me presidentin rus Putin, krijojnë përshtypjen se  ai po punon nën urdhrat e tij. A besoni se qeveria bjelloruse merr urdhra direkt nga Moska?

Llukashenko e ka lidhur veten me padronët e tij në Kremlin. Ai ka hequr dorë nga sovraniteti i vendit tonë vetëm për të ruajtur pushtetin e tij. Dhe nuk shqetësohet aspak për popullin bjellorus, por vetëm për interesat e tij.

Mbështetja e Rusisë ka garantuar represionin e vazhdueshëm të regjimit brenda Bjellorusisë, dhe ka krijuar kërcënime të reja kundër fqinjëve tanë. Rusia na e mohon të drejtën tonë për të ekzistuar si një popull sovran. Por në dallim nga Ukraina, ata gjetën një mundësi të gatshme tek regjimi i Llukashenkos, që po shtyp madje edhe gjuhën tonë amtare bjelloruse.

Duke parë përpara, a do të donit që Bjellorusia t’i bashkohet një ditë Bashkimit Evropian dhe NATO-s?

Ne kemi bërë një zgjedhje të qartë të rrugës evropiane, dhe duam ta kthejmë Bjellorusinë në Evropë, ku ajo ka qenë historikisht. Kjo nënkupton përkushtim ndaj vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Regjimi i ka kaluar dekadat e fundit duke e izoluar vendin tonë nga bota perëndimore.

Ne duam që ta rivendosim këto marrëdhënie. Angazhimi në një dialog kuptimplotë me institucionet dhe vendet evropiane, pjesëmarrja aktive në kornizat e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimi i reformave në përputhje me standardet evropiane, janë hapa kyç drejt këtij qëllimi. Anëtarësimin në Bashkimin Evropian e shohim si një synim afatgjatë.