Inceneratori i Tiranës/ 3 vite burg për Lefter Kokën, ish-ministri e ka shlyer dënimim në paraburgim

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 3 vite burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai dënohet me 2 vite burg per akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ish-ministri e ka shlyer dënimin në paraburgim, por do të qëndrojë në burg për shkak të dënimeve për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit.

Ndërkohë, Bledar Karoli, Erjon Murataj dhe Taulant Tusha u dënuan me nga dy vjet burg secili. Me 2 vite burg u dënua edhe Namik Simixhiu dhe iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike 5 vjet

Për Valbona Ballgjini, GJKKO dha dënimin me 2 vite burgim. Dënimi me burg iu pezullua dhe u vu në shërbim prove. Për Jetmir Llapajn, gjykata shpalli pafajësi.

Kujtojmë se më 11 Mars, GJKKO dënoi me 4 vite burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës por dënimi i tij u konvertua në 2 vite e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Kujtojme së Lefter Koka ka thënë më herët në gjyq se është viktimë e Sali Berishës dhe e “partiçkës së vogël”, duke nënkuptuar Partinë e Lirisë lidhur me akuzat për aferën e inceneratorëve. Lefter Koka është dënuar më herët me  6.8 vite burg për inceneratorin e Fierit. I njëjti dënim edhe për inceneratorin e Elbasanit.