INCENERATORI I ELBASANIT/ Lefter Koka për herë të parë në GJKKO, ish-ministri rrezikon deri në 10 vite burg, avokatët: Sulm politik

Prej orës 09:00 në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po zhvillohet seanca e radhës për aferën e inceneratorit të Elbasanit, ku i akuzuar është edh eish-ministri Lefter Koka.

Për herë të parë ish-ministri është paraqitur edhe vetë në GJKKO, bashkë me avokatët e tij mbrojtës, ku pas leximit të konkluzioneve përfundimtare, pritet të pyetet edhe vetë Lefter Koka, i cili rrezikon deri në 10 vite burg sipas kërkesës së SPAK, por që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.

Në pjesën e parë të mbrojtjes, Lefter Koka është përqëndruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave. Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjitikës, Mjedisit dhe Dtejtësisë.

“Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat”, than ë seancë avokati mbrojtës.

Ndërkohë, avokatët e tij kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit, pasi sipas tyre, nuk ka asnjë provë që e lidh Lefter Kokën me këtë aferë korruptive, ndaj këto janë të gjitha sulme politike. ata deklaruan se do t’i drejtohen Strasburgut, pasi kjo çshtje nuk duhet të rigjykohet, pasi është gjykuar njëherë në Gjykatën e Elbasanit.

Konkluzionet e avokatëve të Lefter Kokës:

1-Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Proçesi është i stisur politikisht , ka porositës dhe ekzekutor.

2-Dy takimet që pretendohet se Lefter Koka ka marre pjesë në diskutime me Albtek faktohet nga TIMS se ka qenë jashtë Shqipërisë.

3-Kosto e impiantit të Elbasanit është më ekonomikia e mundëshme. Landfilli kushton 3 fish më pak nga ai i Vlorës, 2 fish më pak nga Saranda.

4-Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit?

5-Shoqëritë kanë kryer evazion fiskal me njëra tjetrën pa lidhje me Lefter Kokën dhe janë dënuar nga gjykatat e rretheve për këtë vepër. Hetimi u devijua.

6-Kjo çështje është e hetuar dhe gjykuar në gjykatën e Elbasanit. Eshtë anti kushtetuese të rigjykohet. Do t’i drejtohemi Strasburgut.

7-Prona që kërkoni të sekuestroni është themeluar në vitin 1927 dhe është privatizuar në 2000. Kjo është dhunë në emër të ligjit.

8-Janë pyetur 81 persona , askush deri më sot nuk dëshmon ti ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës.

9-Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Cfarë drejtësie është kjo?

10-Asnjë nga shoqëritë nuk zotërohet dhe nuk ka lidhje me Lefter Kokën. Kjo është një anomali juridike.

11-Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit.

– Prokuroria flet për dyshime, por dyshimet janë në favor të Lefter Kokës. Asnjë ligj i shkelur nuk citohet nga Prokuroria.

– Asnjë lek dëm nuk është shkaktuar nga veprimtaria ekzekutive e Minstrit të mjedisit.

– Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht.