Imuniteti i Ballukut/ PS bojkoton mbledhjen e Këshillit të Mandateve, opozita paralajmëron kallëzim penal për Niko Peleshin

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dalë në një deklaratë për mediat, pasi Partia Socialiste bojkotoi sërish mbledhjen e Këshillit të Mandateve, pas kërkesës së SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Bardhi tha se afati prej 3 javësh që kërkoi mbrojtja e Ballukut për tu njohur me dosjen e SPAK ka përfunduar ndrësa paralajmëroi se do të bëjnë një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Sipas Bardhit, koha e kërkuar nga PS dhe mbrojtja e Ballukut ishte alibia për t’iu fshehur drejtësisë.

“5 anëtarët e opozitës në këtë këshill, kërkuan mbledhjen e mandateve për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Kërkesa e 5 anëtarëve është e bazuar në rregullore që do duhet të jetë i vetmi dokument ligjor dhe i vetmi udhërrëfyes për deputetët e kuvendit dhe mbi të gjitha për kryetarin.

Sot mbushen 3 javë nga dita që SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të krahut të djathtë të Ramës. Dhe po sot mbushen 3 javë që kryetari i Kuvendit dhe 4 përfaqësuesit e tjerë të Ramës fshihen si të tjerët pas ligjit. Kjo nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli i Mandatave të ketë marrë më shumë së 3 javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë të ngutshme.

Deri më sot kanë përdorur si justifikim që Balluku i ka kërkuar 3 javë kohë për të lexuar materialet. Ndërkohë në Rama deklaroi se vetë ministrja dhe avokati i saj nuk i kanë tërhequr materialet në Kuvend, Pra koha e kërkuar ishte alibia për t’iu fshehur drejtësisë dhe jo për të përgatitur mbrojtjen përpara Këshillit të Mandateve. Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë përse nuk mbledh Këshillin e Mandateve.

Ne do të përgatisim edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin, ai nuk merr urdhra nga të korruptuar. Ai nuk është ushtar i Ballukut, edhe pse ajo e ka ndihmuar që ai të jetë kryetar i ri kuvendit, sepse ka qenë zgjedhje e saj personale. Është guxim i madh të marrësh në mbrojtje një të korruptuar që ka abuzuar me 1.1 mld euro”, tha ndër të tjera Bardhi.