Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ndodhet prej disa muajsh në paraburgim, por do të jetë në listën e sigurt të kandidatëve të koalicionit të partive opozitare.
Por çfarë do të ndodhë nëse ai fiton mandatin e deputetit? Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i pyetur për këtë çështje, tha se nuk mund të japë një vendim për këtë, pasi kjo çështje mund të jetë objekt i shqyrtimit edhe nga institucione të tjera.
Por, ai u shpreh se çdo kandidat që shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues.
Pyetja: Pyetja ime ka të bëjë me listat shumëemërore të kandidatëve, pikërisht me një emër të veçantë që do të jetë pjesë e koalicionit të PD-së, Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Bëhet fjalë për emrin e Ilir Metës, që pritet të jetë një nga kandidatët në zgjedhjet e 11 majit dhe gjasat janë edhe në listat e sigurta, referuar edhe dakordësisë mes palëve. Meta dihet që prej muajsh ndodhet në paraburgim. Në rastin kur Meta do të dalë deputet nga zgjedhjet e 11 majit, çfarë ndodh më tej? Kujtoj se kemi pasur një rast të ngjashëm në 2001 me Azgan Haklajn në Tropojë dhe atë rast ju ishin kryetar i KQZ-së.
Celibashi: Nuk mundet në këtë moment të jap një vendim për një çështje e cila mund të jetë potencioalisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri madje edhe nga institucione të tjera. Ajo çfarë Kushtetuta parashikon është fakti që çdo kandidat për deputet që shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues.