Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lënë sallën në momentin që Monika Kryemadhi ka marrë fjalën në Konventën që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.
Ai ka dalë në korridor duke iu kërkuar të rinjve që të bënin “like” dhe “share” postimeve të tij në rrjetet sociale.
“Sot kam ekipin e monitorimit për sharë, like, komente, nuk jam shumë i apasionuar mbas kësaj gjëje, por ju mos kujtoni se Edi Rama është budalla, se po të ishte budalla nuk do të rrinte 11 vite në pushtet.
Ka një makineri të tërë shtetërore e ka dyfishuar administratën ndërkohë që Shqipëria është përgjysmuar që kur ka ardhur ai. Mos kujton se ai bën mnbledhje qeveri për të diskutuar strategjinë për turizmin, energjinë. Jo ore jo ai bën mbledhje vetëm për të diskutuar se si administrate e patronazhistëve është në rregull apo jo me planin e like, të share, komente”, tha Meta.
Ndërkohë, në fjalën e saj, Kryemadhi u shpreh se po bëhet propagandë me fjalën “nepotizëm”, teksa paraqiti edhe një kërkesë për buxhetimin e grave kandidate që do të kandidojnë për deputet dhe këshilla bashkiakë, gjatë fushatave elektorale.
“Unë nuk kisha ndërmend të flisja, por përderisa isha vendosur në axhendë, i qëndroj dy propozimeve të mia. E para për buxhetimin e grave kandidate që do të kandidojnë për deputet dhe këshilla bashkiakë, është diçka e domosdoshme për të gjitha gratë në të gjithë Shqipërinë për të pasur një buxhet të veçantë për fushata, sepse sot në kushtet përballë krimit, parasë së krimit, është shumë vështirë për të kandiduar dhe për të bërë një fushatë të ndershme. Propozimi është bërë për 30%, po të jetë pëlqimimi i kandidatëve ta çojnë në 50-70%. Propozimi numër dy, për nepotizimin, i qëndroj prapë që të mos bëhet propagandë, se në një parti politike ka të bëjë meritokracinë. Vendoset me votë jo me emërim. Në pushtet emërohen”, tha Kryemadhi.