Ilir Meta kërkon lirinë, avokati i tij kërkesë në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë

Genc Gjokutaj, avokati i ish-presidentit Ilir Meta ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë.

Meta ndodhet në burg që prej datës 21 Tetor, ditë kur ai u arrestua në hyrje të Tiranës.

Avokati Gjokutaj në një komunikim për mediat ka thënë Meta nuk është shmangur nga hetimi, ndërsa paralajmëroi se do ta çojnë çështjen dhe në Strasburg, nëse do të jetë e nevojshme.

“Kemi paraqitur të gjitha dokumentet që nga ndalimi kriminal që iu është bërë, pastaj për secilin episod, për lobimin në SHBA që Meta ka dhënë shpjegim ku nuk ka asnjë penalitet, është i sqaruar procedimi në lidhje me lobimin, kemi sqaruar deklarimin e pasurisë së Metës dhe pastaj edhe për ÇEZ-DIA, një çështje e bazuar mbi dëshmitarë të rremë, prova të marra në kundërshtim me ligjin.

Duke mos pasur as dyshim të arsyeshëm dhe as prova në lidhje me këto 3 episode i jemi drejtuar Gjykatës së Lartë duke argumentuar për revokimin e masës së caktuar ndaj tij “arrest me burg” nga GJKKO, që është miratuar më pas edhe nga Apeli”- u shpreh Gjokutaj.

Kujtojmë se Ilir Meta është nën akuzë për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie.