Ilir Meta flet pas takimit me Berishën: Opozita duhet të ringrihet! Bardhi si kryeministër në 2025? Respektojmë çdo parim demokratik

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur për mediat pas takimit me ish-kryeministrin Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike.

Meta u shpreh se ka ardhur koha që opozita të ringrihet dhe të sfidojë qeverinë që e ka çuar vendin në situatë shumë të rënduar, teksa shtoi se do të ketë edhe data për protestat e ardhshme të opozitës.

“Pa asnjë diskutim që do të ketë dhe data të tilla, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Por e rëndësishme është që të kemi një program gjithnjë e më të bashkërenduar dhe më përfshirës në këtë drejtim.

Opozita besoj se duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’i dhënë përgjigje gjithë këtyre sfidave të cilat kanë sjellë një situatë kaq të rënduar për shkak të kësaj keqqeverisjeje e cila ecën me ritme galoponte drejt çuarjes së vendit në një kolaps të plotë”, tha Meta.

I pyetur se nëse do të pranonte një propozim të Berishës që Gazment Bardhi të ishte kandidati për kryeministër në zgjehdjet e vitit 2025, Meta nuk dha një përgjigje konkrete, por tha se është i gatshëm të respektojë çdo parim demokratik.

“Nuk jemi këtu për t’u marrë me këto çështje. Ju e dini që ne jemi të angazhuar për të respektuar çdo parim demokratik”, u shpreh kryetari i Partisë së Lirisë.