‘I telefonova se po ju digjej shtëpia’, kushëriri i familjes Gurra tregon si i gjeti të vrarë në makinë babë e bir

Shkodra është tronditur sërish dje nga vrasja e ndodhur në Dukagjin, ku viktimë mbetën babë e bir Gjokë dhe Eduard Gurra.Ndërsa vazhdojnë hetimet për të qartësuar arsyen e vrasjes së tyre me automatik, ditën e sotme është publikuar edhe dëshmia e kushëririt të tyre, i cili kishte qenë ai që i kishte telefonuar për t’ju thënë se po u digjej shtëpia.

Kushëriri ka treguar se kishte parë çatinë e shtëpisë të digjej dhe kishte telefonuar menjëherë Gjokë Gurrën. Ky i fundit i ka thënë se shkak mund të ishin panelet diellore që ai kishte vendosur në çatinë e shtëpisë.

Ai i ka kërkuar kushëririt të përpiqej ta fikte zjarrin, ndërkohë që është nisur së bashku me të birin për në fshatin e origjinës me makinën e tyre tip Fuoristradë.

 Kushëriri ka pohuar se teksa mundohej të shuante zjarrin, ka dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri, që erdhën nga ana e hyrjes së fshatit Sumë.

Ka braktisur punën në shtëpinë që po digjej dhe është nisur drejt zonës, nga erdhën të shtënat me armë. Siç tregon A.Gurra, një veprim të tillë e kishte kryer pasi ishte bërë kurioz se çfarë mund të kishte ndodhur dhe kush kishte qëlluar disa herë me armë.

Për gjatë rrugës 15 minutëshe që ka përshkuar, ai ka treguar se diçka të keqe kishte parandjerë. Dhe kur ka kaluar kthesën, ka vënë re se makina e kushërnjve të tij ishte e qëndruar në mes të rrugës dhe brenda saj, ndodheshin të gjakosur Gjokë dhe Eduard Gurra.

Menjëherë kushëriri i viktimave ka marrë në telefon policinë, duke e njoftuar për ngjarjen e rëndë. Ndërsa i pyetur se kush e kishte bërë vrasjen, Gurra, ka rëfyer se nuk ka parë asnjë person të armatosur dhe jo të armatosur rreth zonës së krimit.

Njëherësh Gurra, ka rëfyer se nuk dinte asgjë se në çfarë rrethanash kishte rënë zjarri në shtëpinë e Gjokë Gurrës, duke mos e qartësuar nëse ishte zjarr i qëllimshëm apo aksidental, shkruan Oranews.

Ditën e sotme një grup ekspertësh të policisë zjarrfikëse kanë shkuar në banesën e djegur, për të mësuar dhe nxjerë shkaqet kryesore të rënies së zjarrit në banesë.

Veç hetimit për kultivimin e drogës në njësinë administrative Pult, ku mbeti i vrarë Gjokë dhe Eduard Gurra, tashmë një tjetër pistë hetimore ku është përqëndruar policia është dhe një konflikt i ndodhur 1 vit më parë mes Gjokës dhe një bashkëfshatari të tij.

Gurra që dikur ka shërbyer në policinë e Shkodrës, kohët e fundit meren me aktivitetin e tregtimit të lëndës drusore për zjarr. Ai kishte zënë disa zona pyjore për ti prerë dhe lëndën drusore e zbriste në Shkodër ku e shiste. Për shkak të këtij aktiviteti Gurra, një vit më parë është konfliktuar me një bashkëfshatarin e tij, me të cilin janë zënë me grushta. Konflikti është mbyllur më heshtje, por ky sher mund të ketë sherbyer si indicie për goditjen e babë e bir me armë kallashnikov.