I ranë inertet nga lartësia, plagoset 11 vjeçari në Kukës, dërgohet për mjekim në Spitalin e Traumës

Një fëmijë 11 vjeç është plagosur ditën e djeshme në Kukës, pasi ka hyrë në kantierin e rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale “Bajram Curri”.

I mituri është dëmtuar si pasojë e hedhjes së inerteve nga lartësia gjatë punimeve në objekt. Menjëherë pas ngjarjes, 11-vjeçari është transportuar për mjekim në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka vënë nën hetim 26-vjeçarin me iniciale K.K., punonjës i firmës që po kryen punimet e rikonstruksionit, i dyshuar për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.

Gjithashtu, nën hetim është vënë edhe drejtuesi teknik i firmës, Alfred Depa, i akuzuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasit:

-K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.

-A. D., 62 vjeç, drejtuesi teknik i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e objektit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, njofton policia.