I publikoi 14-vjeçares videon intime në rrjete sociale, arrestohet i riu në Lushnjë

Një 19-vjeçar është arrestuar në Lushnjë pasi i ka publikuar një 14-vjeçareje një video intime. Ka qenë nëna e të miturës që ka kallëzuar në polici 19-vjeçarin H.Ç, i cili u prangos nga blutë e Lushnjës ndërsa telefoni i tij u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Pas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Lushnjë, nga një shtetase 40 vjeçare, se një shtetas kishte publikuar në rrjetet sociale, një video të vajzës së saj të mitur 14 vjeçe, specialistët për Hetimin e Krimeve të këtij komisariati organizuan punën për zbardhjen e këtij rasti dhe vënien e autorit, përpara përgjegjësisë penale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap dhe u vu në pranga shtetasi H. Ç., 19 vjeç, banues në Fier, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka publikuar në rrjetet sociale, videon intime të 14-vjeçares.  Celulari i shtetasit H. Ç. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”- thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.