Komisioni Europian ka njoftuar qeverinë shqiptare se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre.
Në 14 Korrik, në protokollin e disa institucioneve shqiptare mbërriti një letër nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Europian. Letra i ka mbërritur disa institucioneve duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, AZHBR-në, Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës të Ilir Beqajt.
Pikërisht Ilir Beqaj, i vendosur në krye të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në varësi të kryeministrit Edi Rama, duhet të monitoronte dhe koordinonte fondet e huaja që merrte qeveria shqiptare për programet dhe projektet zhvillimore.
Pra, miliona euro fonde që shpërndahen nga Bashkimi Europian në Shqipëri fillimisht kalojnë në sitën e Ilir Beqajt, një nga më të akuzuarit në kohën kur ishte Ministër i Shëndetësisë, për shkak të tenderave të shumtë të dyshimtë që ka firmosur.
Por pavarësisht se Beqaj është ende nën hetim nga SPAK, kryeministri Rama i dha atij një detyrë të rëndësishme, që e bëri Beqajn të heqë dorë ehde nga mandati i deputetit, duke mos pranuar të zëvendësojë Benet Becin, pasi ky i fundit u bë kryetar bashkie në Shkodër.