Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se duhet të arrijë një marrëveshje me SHBA-në ose të përballet me “asgjësimin”.
Ai e bëri këtë kërcënim gjatë fjalimit para liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – një strategji e njohur e diplomacisë shtrënguese.
Megjithatë, ai argumentoi gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të arrijnë patjetër një zgjidhje, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe kjo duhet bërë shpejt”.
“Ndërsa të tjerët flisnin, unë veprova. Ndërsa të tjerët flisnin për paqen, unë e realizova atë”, deklaroi Presidenti amerikan. “Ndërsa të tjerët i shpërfillnin kërcënimet, unë u përballa me to. Ndërsa të tjerët flisnin për guximin, Amerika e tregoi atë. Ndërsa të tjerët premtonin forcë, unë e përdora atë për ta bërë Amerikën vendin më të fuqishwm nw botw.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara deklaroi gjithashtu se “regjimi kuban ka kaluar dekada duke u koordinuar me të majtën radikale dhe rrjetet komuniste”, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara.
“Siç është dokumentuar nga Departamenti i Shtetit, ai ka kultivuar lidhje me grupe subversive dhe radikale, si Partia Komuniste e Shteteve të Bashkuara, Antifa dhe Democratic Socialists of America” tha Trump.
“Administrata ime”, tha Trump, “po synon gjithashtu një ndryshim thelbësor të situatës në Kubë, ku regjimi komunist po përballet me një presion të jashtëzakonshëm, më të madhin që ka përjetuar ndonjëherë. Është një shtet që ka dështuar plotësisht; po shembet si kurrë më parë dhe do të bjerë” tha Trump.
Sa i përket Ukrainës, Trump përsëriti pretendimin se përfundimi i luftës me Rusinë është pranë, ndërsa tha gjithashtu se SHBA-ja do ta riemërtojë inteligjencën artificiale si “super inteligjencë”.
“Po punojmë ngushtë me udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta çojmë këtë çështje deri në fund. Do të ndodhë, besoj, më shpejt nga sa njerëzit mendojnë. Ata janë lodhur nga kjo”, deklaroi Trump, duke folur për konfliktin në Evropë.
Rreth 130 krerë shtetesh dhe qeverish marrin pjesë në aktivitetin vjetor njëjavor për të përcjellë mesazhin e vendeve të tyre për botën.