Komisioni Europian ka njoftuar qeverinë shqiptare se ka pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Kështu shkruan portali Ologarkia.al, i cili thotë se në datën 14, në protokollin e disa institucioneve shqiptare mbërriti një letër nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Europian.
Letra i ka mbërritur disa institucioneve duke përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, atë të Financave, AZHBR-në, Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës të Ilir Beqjas.
Oligarkia.al e konfirmoi fillimisht lajmin me tre burime konfidenciale të pavarura nga ministria e Financave, ajo e Bujqësisë si dhe nga delegacioni i Bashkimit Europian. Më pas arriti të lexojë pjesë nga letra.
“Për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm të fondeve dhe për të mbrojtur interesin e taksapaguesve të Bashkimit Europian, ju njoftojmë se kemi vendosur të pezullojmë disbursimin e transhit të mbetur të programit IPARD për Shqipërinë derisa autoritetet shqiptare të përmbushin të gjitha kushtet dhe mangësitë e evidentuara,” shkruhet në letrën e Wolfgang Burtscher, drejtorit të përgjithshëm të DG AGRI, drejtorisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Bashkimin Europian.
Vendimi i BE për të ndërprerë fondet e bujqësisë për Shqipërinë vjen pas një hetimi të OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian. Hetimi i nisur dy vjet e gjysmë më parë, ka zbuluar se se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk kanë respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidhen”, shkruhet në letër.
Përveç pezullimit të transhit për këtë vit, në letër Komision Europian paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të përjashtojë Shqipërinë nga programi IPARD III, i cili deri në vitin 2027 parashikohet të disbursojë 146 milionë euro grante për fermerët shqiptarë, nëse qeveria nuk do të korrigjojë me shpejtësi të gjitha abuzimet e gjetura. Tashmë këto fonde janë në rrezik për shkak të korrupsionit në AZHBR. Oligarkia.al