Barometri i Ballkanit 2023 tregoi se 60% e shqiptarëve e kanë të pamundur të bëjnë pushime, pra 6 në 10 shqiptarë.
Ndërkohë “VIP”-at shqiptarë nuk u intereson aspak gjë tjetër përveçse garës mes vetit, se kush nxjerr luks më shumë. Edhe këtë verë, gara është se kush kryen udhëtimin më ekzotik apo pushon në resortin më magjik.
Enca nga Zanzibari, Arbana Osmani nga Toskana dhe koncertet e Coldplay, Luana Vjollca në Greqi, Komo apo Capri, Bora Zemani në jaht, Kida në Santorini, Kiara Tito në çdo resort luksoz.
Kjo gjë bombardohet edhe nga fëmijët e të pasurve shqiptarë që sot nuk kanë pasion tjetër por veç të zgërthehen në Instagram.
Reklamimi i kësaj jete luksoze, false, që shpesh nuk ka as lidhje me suksesin e tyre, nuk ka asnjë lloj lidhje edhe me realitetin e vështirë shqiptar. Jo vetëm kaq, por këta vipa, nuk kanë marrë mundimin të promovojnë falas Shqipërinë, plazhet e saj, jetën në qytet apo jetën e zakonshme të shqiptarëve. Ata nuk marrin pjesë në kauza, nuk promovojnë modele, por vetëm nxjerrin luksin e shfrenuar që edhe atë e kanë borxh.
Krahasimi me njerëzit e njohur të ekranit dhe jo vetëm në perëndim është diçka krejt tjetër. Shumë prej tyre kanë jahte por fotot ua nxjerrin paparacët dhe nuk zgjaten me shpinë për selfi. Këta tanët i marrin borxh dhe shtriqen sikur e kanë të tyren.
Të marrim për analogjinë një VIP perëndimor. Chris Martin, lideri i grupit Coaldplay, është më i pasur se të gjithë vipat shqiptarë të marrë së bashku. Ai tregoi se fundmi se vajza e tij 15 vjeçare kishte filluar punë në një butik, për të mësuar mbi punën, jetën e vështirë. Ai shkoi njëherë në një Pub dhe kërkoi të luajë falas në piano, dhe madje pagoi edhe gotën e birrës. Pa llogaritur bamirësitë e shumta, private apo publike.
Në fakt, sado që përpiqen, shumica e tyre janë të përkohshëm si vetë numri i ndjekësve që kanë në rrjetet sociale. Të jesh VIP, do të thotë të kesh përgjegjësi sociale, pasi fama është përgjegjësi dhe jo shfrenim luksi. Ndaj, para së të shpërfytyrohen në rrjete sociale dhe luks bajat, të mendojnë më shumë për njerëzit që i ndjekin.
E kundërta ndodh me VIP-at shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri, të cilët zgjedhin të promovojnë vendin e origjinës sa herë kanë mundësi. Dua Lipa zgjodhi t’i bënte pushimet në jug, duke publikuar disa herë foto nga vendet më të bukura shqiptare.
Ndërkohë edhe Almeda Abazi dhe bashkëshorti i saj turk Tolgahan Sayisman kanë vendosur që pushimet t’i bëjnë në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë prej vitesh. “Shqipëria ime e bukur”, shkruan Almeda në një prej fotove, teksa vipat që rrinë në Shqipëri kujdesen që të publikojnë vetëm vendet luksoze jashtë territorit shqiptar, për të treguar nivelin më të lartë të jetesës në krahasim me qytetarët e tjerë, pavarësisht se disa prej tyre titullin “VIP” as nuk e kanë dhe as e meritojnë, por fatkeqësisht konsiderohe të tillë nga një pjesë e vogël njerëzish që shohin numrin e lartë të ndjekësave të blerë në rrjetet sociale.