Influenceri i muajit! Tao Balla dhe lufta heroike kundër protestës

Kur pa se përpjekjet e tij për të përçarë protestuesit nuk po bindnin askënd, Edi Rama vendosi të nxjerrë në fushë ushtarët më besnikë të propagandës, dhe në krye të tyre u rreshtua Taulant Balla.

Pasi nuk arriti të mbijetojë as një vit të plotë në postin e ministrit, Balla duket se ka gjetur një mision të ri, të luftojë protestën me postime në rrjetet sociale.

Gjatë dy javëve të fundit, ai është shndërruar në një makineri të pandalshme publikimesh, duke komentuar çdo ngjarje të mundshme, nga aktivitetet publike deri te dasmat, me shpresën se do të largonte vëmendjen e qytetarëve nga revolta kundër qeverisë së Ramës.

Por ashtu si dështuan deklaratat e Ramës për “sponsorizimet greke” apo “iraniane”, dështoi edhe operacioni dixhital i Ballës.

Në vend që të zbehej, protesta fitoi më shumë mbështetje dhe pjesëmarrje, me dhjetëra mijëra qytetarë që dalin dhe marshojnë çdo ditë kundër kësaj qeverie, ndërkohë që rrjetet sociale të Ballës u mbushën sharje dhe ofendime nga qytetarët.

Gjatë ditëve të fundit, Edi Rama ka sulmuar vazhdimisht influencerët, duke i akuzuar se marrin pjesë në protesta vetëm për të shtuar ndjekësit. Por, nëse do të jepej një çmim për “influencerin e muajit qershor”, kandidati më serioz do të ishte pikërisht Taulant Balla.

Me një lumë postimesh dhe statusesh të përditshme, ai ka arritur të bëhet ndër figurat më të komentuara në internet. Problemi i vetëm për të është se shumica e komenteve nuk janë aspak ato që ai dhe shefi i tij do të dëshironin të lexonin.

Ndoshta, në fund të muajit Rama duhet t’i dorëzojë Ballës një certifikatë simbolike, për kontribut të veçantë në përpjekjen për të mposhtur një protestë me postime në Facebook.