Rusia ka përfshirë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare banorët e territoreve ukrainase që Moska i aneksoi pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës. Bëhet fjalë për Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhzhian, të cilat Rusia i shpalli pjesë të territorit të saj në vitin 2022, edhe pse nuk i kontrollonte plotësisht. Aneksimi nuk është njohur ndërkombëtarisht.
Votimi në këto zona kishte nisur që në fund të muajit të kaluar, ndërsa në pjesën tjetër të Rusisë zhvillohet gjatë fundjavës. Autoritetet ruse thonë se zgjatja e procesit lidhet me çështjet e sigurisë. Presidenti Vladimir Putin e ka cilësuar pjesëmarrjen e banorëve të këtyre territoreve në zgjedhjet për Dumën e Shtetit si veçanërisht të rëndësishme.
Kievi e ka dënuar votimin, duke e cilësuar të paligjshëm dhe duke u bërë thirrje vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të mos njohin zgjedhjet apo rezultatet e tyre. Edhe Bashkimi Evropian e ka cilësuar procesin një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Organizatat ukrainase për të drejtat e njeriut akuzojnë autoritetet e vendosura nga Moska për ushtrim presioni ndaj banorëve. Sipas tyre, anëtarë të komisioneve zgjedhore, të shoqëruar nga forca ruse të sigurisë, kanë shkuar derë më derë për t’i detyruar njerëzit të votojnë. Aktivistët pretendojnë gjithashtu se punonjësit e sektorit publik janë kërcënuar me pushim nga puna dhe se pensionet apo ndihmat sociale mund të kushtëzohen me pjesëmarrjen në votim.
Moska, nga ana tjetër, e paraqet procesin si pjesë të integrimit të këtyre territoreve në Rusi. Analistë dhe aktivistë ukrainas argumentojnë se zhvillimi i zgjedhjeve nën pushtim dhe në kushtet e luftimeve nuk mund të konsiderohet një proces demokratik normal.