Demaskim para botës! Protesta që i hoqi maskën Edi Ramës në mediat ndërkombëtare

Ai ishte gjithmonë kryeministri karizmatik i Shqipërisë, që shkonte në samite ndërkombëtare me atlete të bardha, bënte batuta dhe shkëmbente përqafime me liderët europianë.

Në sytë e mediave ndërkombëtare, Edi Rama paraqitej si ai “djali çapkën” mes gjithë atyre liderëve seriozë, duke u bërë një figurë e pëlqyer edhe për gazetarët, që nxitonin t’i kapnin ndonjë deklaratë pikante apo ndonjë moment të pazakontë që do t’u garantonte klikime.

Në konferenca, Rama fliste se si Shqipëria po zhvillohej, për dëshirën e madhe të shqiptarëve për anëtarësim në BE dhe se si reformat e qeverisë së tij e kishin transformuar Shqipërinë, duke e bërë gati të ulej në tryezën e madhe të vendeve europiane. Shqipëria shfaqej si historia e suksesit të Ballkanit dhe Rama si arkitekti i saj.

Por, ato media që e shfaqnin si kryeministrin “perfekt”, nuk e dinin se çfarë bëhej vërtet në Shqipëri. Në sytë e tyre, nuk dukej realiteti që përjetojnë çdo ditë shqiptarët. Nuk dukej se si bregdeti, malet dhe pasuritë publike u janë dorëzuar një grushti oligarkësh, apo se si varfëria detyroi qindra mijëra shqiptarë të largoheshin nga vendi.

Sigurisht që nuk tregohej as se si Edi Rama dhe mazhoranca e tij mbrojtën me votë Belinda Ballukun, që akuzohet nga SPAK për abuzim me qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë.

E për t’ia “çjerrë” maskën, do të duhej të flisnin vetë shqiptarët!

Protesta që ka mbledhur dhjetëra mijëra shqiptarë në Tiranë dhe jo vetëm, u bë shkas që mediat ndërkombëtare të kuptonin se çfarë ndodh vërtet në vendin tonë. Ajo u kthye në një mesazh të fortë për botën, që tregoi se pas propagandës së suksesit fshihet një realitet krejt tjetër, një vend që vazhdon të përballet me korrupsionin, pabarazinë dhe kapjen e institucioneve.

Për herë të parë, shumë gazetarë të mediave më prestigjioze ndërkombëtare nuk u interesuan për atletet e bardha apo batutat e zakonshme. Pyetjet e tyre u fokusuan tek ekonomia shqiptare, tek skandalet me investimet strategjike dhe te betonizimi i zonave të mbrojtura.

Ajo që propaganda kishte tentuar të fshehë për vite me radhë, iu tregua botës nga vetë shqiptarët, ata që duhet të marrin në dorë fatin e tyre.

Protesta që sot hyn në ditën e 11-të, i tregoi botës se Shqipëria nuk është ajo që shfaqet në deklaratat e Ramës, por një vend që Zoti i ka falur gjithçka, por politikanët ia kanë marrë e nuk po dinë të ndalen.

Kjo protestë, që duket se nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit, deri më tani e ka arritur një sukses: t’i tregojë botës realitetin shqiptar!