Nga Vlora drejt Italisë, pa hequr dorë nga ëndrra shqiptare! Rrëfimi i talentit Genis Shehaj pas firmës së parë në futbollin profesionist

Ka qytete ku futbolli nuk është thjesht një sport, dhe Vlora është një prej tyre. Qyteti që i ka dhënë futbollit shqiptar talente dhe ka jetuar gjithmonë me pasionin për topin, vazhdon të rrisë breza të rinj që ëndërrojnë skenat më të mëdha të futbollit. Mes Vlorës dhe Italisë ka ekzistuar gjithmonë një urë e fortë, historike e njerëzore. Për 16-vjeçarin Genis Shehaj, ajo urë është bërë sot rruga drejt realizimit të një ëndrre.

I lindur më 27 mars 2010 në Vlorë, Genisi hodhi hapat e parë në futboll vetëm 5 vjeç, në akademinë e Flamurtarit. Katër vite më vonë, jeta e tij mori një kthesë të madhe. Bashkë me familjen u shpërngul në Itali, duke lënë pas qytetin e lindjes, shokët dhe gjyshërit. Ishte një fillim i vështirë, por edhe një kapitull i ri, që sot e ka çuar të firmosë kontratën e parë me Ospitaletton, skuadër që garon në futbollin profesionist italian.

Pas firmës, Genisi rrëfen për sakrificat, emocionet dhe ëndrrën që vazhdon ta ndjekë çdo ditë.

Genis, si nisi rrugëtimi yt në futboll?

“Kam filluar të luaj futboll që në moshën 5-vjeçare, në akademinë e Flamurtarit. Kur isha 9 vjeç u larguam nga Shqipëria bashkë me familjen. Ishte një ndryshim shumë i madh për ne. Nuk dinim as gjuhën dhe çdo gjë ishte e re.

Në fillim jetonim në Milano, ndërsa unë stërvitesha në Bergamo, te Atalanta. Çdo ditë udhëtonim për të shkuar në stërvitje. Ishte e lodhshme dhe familja ime bëri sakrifica shumë të mëdha që unë të mos hiqja dorë nga ëndrra ime.”

Në çdo histori suksesi fshihet një moment që ndryshon gjithçka. Për Genisin, ai moment erdhi pas një ndeshjeje ku talenti i tij nuk kaloi pa u vënë re.

Si lindi kontakti me Ospitaletton?

“Ndodhi pas një ndeshjeje me ekipin e Leminos, ku shënova dy gola. Pas përfundimit të takimit më kontaktoi agjenti Valentino Sidella, i cili bashkëpunon me shumë skuadra në Itali. Më ftuan të zhvilloja një provë me Ospitaletton dhe aty gjithçka shkoi shumë mirë.”

Pak javë më vonë erdhi edhe momenti që çdo futbollist i ri e pret me padurim. Gnisi hodhi për herë të parë firmën mbi një kontratë në futbollin profesionist, një ëndërr e bërë realitet.

Çfarë ndjeve kur firmose kontratën?

“Isha shumë i lumtur. Nuk e prisja që gjithçka të ndodhte kaq shpejt. Ishte një emocion i madh, jo vetëm për mua, por për gjithë familjen. U gëzuam shumë, sepse e dimë sa sakrifica kemi bërë për të arritur deri këtu. E shoh si një mundësi shumë të mirë për të ecur përpara.”

Si kaluan ditët e para?

“Në fillim zhvilluam një takim ku na shpjeguan gjithçka për klubin. Më pas, në ditën e prezantimit, na pritën shumë mirë. Ndjeva menjëherë besimin dhe vlerësimin e tyre.”

Megjithatë, për Genisin kjo firmë nuk është destinacioni, por vetëm fillimi.

Çfarë do të thotë kjo kontratë për ty?

“E shoh si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tim. Nuk mendoj se kam arritur gjithçka. Përkundrazi, kam ende shumë punë për të bërë. Është vetëm fillimi.”

Pas çdo talenti të ri qëndron gjithmonë dikush që ka besuar pa kushte. Për Genisin, babai ka qenë mbështetja më e madhe, që e ka njekur në çdo hap të ëndrrës së tij.

Kush ka ndikuar më shumë në karrierën tënde?

“Babai im, Besniku. Ai më ka mbështetur gjithmonë dhe ka besuar te ëndrra ime. Pa të dhe pa familjen time do të ishte shumë më e vështirë.”

Cili është roli yt në fushë?

“Luaj si mesfushor ofensiv.”

Futbollisti që ke idhull?

“Lionel Messi.”

Me cilin futbollist të krahasojnë më shpesh?

“Me Nicolo Barellën, për energjinë, grintën dhe mënyrën si luftoj në fushë.”

Megjithëse konsiderohet një nga talentet më premtues të moshës së tij, ai e di se rruga drejt futbollit të madh kërkon punë të përditshme.

Çfarë mendon se duhet të përmirësosh?

“Duhet të punoj edhe më shumë dhe të kem gjithmonë besim te vetja. Ka momente kur vetëbesimi mund të lëkundet, por duhet ta kalosh atë dhe të vazhdosh përpara.”

Si e kombinon futbollin me mësimet?

“Tani që jam pjesë e një ekipi profesionist do ta kem më të lehtë. Bashkë me profesorët do të organizojmë provimet në ditët kur jam i lirë.”

Megjithatë, zemra mbetet në vendlindje. Gjyshërit, të afërmit dhe shokët nuk mund ti harrojë kurrë.

Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?

“Më mungon gjithçka. Kam lindur dhe jam rritur aty. Më mungojnë shumë gjyshërit, kushërinjtë, shokët… Ne këtu jemi vetëm dhe kjo ndonjëherë ndihet.”

Ku e sheh veten pas disa vitesh?

“Shpresoj dhe besoj në nivelet më të larta të futbollit. E di që ëhstë e vështirë, por duhet të besoj dhe të punoj shumë për ta arritur”

Cila është ëndrra jote më e madhe?

“Të luaj një ditë me Barcelonën. Është skuadra që kam ëndërruar gjithmonë, edhe për shkak të Lionel Messit. Edhe numrin 10 e mbaj për shkak të tij.”

Por mbi çdo ëndërr klubi, është një fanellë që për të ka një peshë të veçantë.

Sa e rëndësishme është Kombëtarja shqiptare për ty?

“Është ëndrra ime më e madhe. Dua të vesh fanellën e Shqipërisë dhe të përfaqësoj vendin tim. Shpresoj që një ditë ta ndihmoj Kombëtaren të arrijë edhe në Kampionatin Botëror.”

Edhe pse ka qenë pjesë e përfaqësueseve italiane për dy vite, kur erdhi momenti i zgjedhjes, nuk pati asnjë dilemë.

Ke pasur ftesa edhe nga Italia. Si e more vendimin?

“Po, kam luajtur për dy vite me Italinë. Kur mbusha 16 vjeç më thanë se duhej të zgjidhja mes Italisë dhe Shqipërisë. Zgjodha Shqipërinë me zemër, sepse është e vetmja fanellë për të cilën dua të jap gjithçka.”

Në fund, 16-vjeçari ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët e tij.

Çfarë do t’u thoje të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të luajnë jashtë vendit?

“Të besojnë te vetja dhe të punojnë fort çdo ditë. Asgjë nuk është e pamundur për ata që nuk dorëzohen.”

Në moshën kur shumë të rinj sapo nisin të ëndërrojnë, Genis Shehaj ka hedhur tashmë një hap të rëndësishëm drejt futbollit profesionist. Rruga është ende e gjatë, por talenti, puna dhe vendosmëria janë aty. Dhe, mbi të gjitha, ai nuk ka harruar kurrë se nga ka nisur: nga Vlora, me një top në këmbë dhe një ëndërr që sot duket më pranë se kurrë.