Një 52-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi plagosi me thikë bashkëshorten e tij. Jakup (Arben) Shahu në vitin 2011 ka qëlluar për vdekje 28-vjeçarin Arjan Mejdani, pas një debati për motive tradhtie.
Më datë 23.05.2024, rreth orës 02:15, në rrugën “Xhanfize Keko”, shtetasi J. Sh., 52 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës në trup dhe në qafë, bashkëshorten e tij, shtetasen E. Sh., 46 vjeçe.
46-vjeçarja ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Jakup Shahu ka një të kaluar të errët, pasi më herët ka vrarë një 28-vjeçar në Selitë të Tiranës në vitin 2011.
Një sherr ka ndodhur mes banorëve të komunitetit rom në atë kohë në Selitë, ku Jakupi ka vrarë me kallashnikovë Arjan Mejdanin ndërsa shoku i tij plagosi dy të tjerë. Ata tentuan të arratiseshin, por u mbaroi karburanti i makinës dhe u kapën nga policia.
Sherri mes Jakup Shahut dhe viktimës, Arjan Mejdani, ka pasur si shkak konfliktin e vazhdueshëm të bashkëshorteve të tyre. Gratë e dy protagonistëve të ngjarjes (njëra prej të cilave u plagos mbrëmë) pretendonin për tradhti bashkëshortore.
Jakup Shahu, kishte një lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e viktimës Arjan Mejdani. Kjo lidhje fillimisht është zbuluar nga bashkëshortja e autorit, e cila ka kërkuar shpjegime te gruaja e viktimës, pasi sipas saj, ishte ajo që i vardisej të shoqit.
Sipas dëshmitarëve, të cilët janë pyetur nga policia, gruaja e të dyshuarit Jakup Shahu, një javë para ngjarjes, ka shkuar për te lokali i viktimës, aty ku ndodhi edhe vrasja, dhe ka nisur të debatojë me gruan e Arjan Mejdanit, duke e akuzuar se i kishte marrë bashkëshortin. Aty ka nisur konflikti mes dy bashkëshorteve, fillimisht me fjalë e më pas janë kanë nisur të godasin njëra-tjetrën me sende të forta.
Gjatë këtij debati kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e familjes së viktimës, të cilët kanë ndërhyrë duke i dhënë fund përkohësisht dhunës mes tyre. Sherri ka vijuar pothuajse çdo ditë. Sipas dëshmitarëve, të dyja gratë, sa herë që përballeshin në rrugë apo në lokal, ziheshin me njëra-tjetrën duke u kapur nga flokët, derisa shkonin persona të tjerë për t’i ndarë. Për këtë konflikt të vazhdueshëm është vënë në dijeni viktima Arjan Mejdani, të cilit i kanë treguar të afërmit e vet, por edhe banorë të tjerë të lagjes që kishin parë sherret e vazhdueshme të bashkëshortes së tij me të shoqen e autorit.
Pasi ka dëgjuar variantin e gruas së tij, me të cilën kishte 3 fëmijë, Mejdani ka shkuar të takojë të dyshuarin Jakup Shahu, i cili banonte pranë shtëpisë së Mejdanit. Duke debatuar me të, në mes është futur bashkëshortja e Shahut, e cila ka rrëfyer edhe historinë e tradhtisë nga ana e të shoqit dhe gruas së viktimës. Ky debat është bërë dy ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë mbrëmjen e së mërkurës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky ka qenë edhe shkaku i debatit që nisi para se të përdoreshin armët.
Fillimisht viktima dhe të plagosurit kanë nisur të debatojnë me dy autorët në lokalin e tyre dhe më pas ata kanë nxjerrë armët nga një makinë që ishte i parkuar para lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të tyre, ku Arjani ndërroi jetë 15 minuta pasi mbërriti në spitalin e Traumës dhe u plagosën dy familjarët e tij.