I dërguari special i presidentit Trump në Ballkan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli ishte sot në Tiranë ku zhvilloi takime me përfaqësues të dy grupeve më të mëdha parlamentare, PS dhe PD.
Në fokus të takimeve, ishte partneriteti mes dy vendeve, paqja dhe stabiliteti.
Më herët, Zampolli u ndal edhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit nga Baba Mondi në 35-vjetorin e rihapjes së selisë së saj që pas rënies së komunizmit.
Në fokus ishte projekti për ngritjen e një qendre të avancuar shëndetësore përmes një investimi amerikan, të cilin i dërguari i Trump e cilësoi një nismë të shkëlqyer.
I pyetur drejtpërdrejt për krijimin e shtetit Bektashi, i dërguari amerikan tha se e ka dëgjuar propozimin si nga Kryeministri Rama, ashtu edhe nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.
Ai theksoi se vendimi i takon popullit shqiptar dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta respektojë atë.
“E kam dëgjuar Kryeministrin të flasë, kam dëgjuar Shenjtërinë e Tij të flasë. Në fund të fundit, njerëzit vendosin ose do të vendosin”, deklaroi Zampolli, duke shtuar se, nëse populli shqiptar e dëshiron një zhvillim të tillë, atëherë sipas tij “kjo është një gjë e mirë”.