I dehur në timon shkaktoi aksidentin ku humbën jetën dy motrat nga Delvina, Gjykata lë në burg 23 vjeçarin

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg 23 vjeçarin Kevin Norra, i cili shkaktoi aksidentin tragjik në Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Dhimaku dhe u plagos shoqja e tyre, Antonela Zhupa.

Prokurorja e çështjes, Besjana Sadikaj kërkoi masën “arrest me burg” për të riun, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit, ku “Audi” që drejtohej nga Norra, u përplas me mjetin e dy motrave në aksin Delvinë-Sarandë.

23 vjeçari ishte duke lëvizur me shpejtësi, kur ka kryer një parakalim të gabuar duke i dalë përballë mjetit të dy motrave duke u përplasur kokë më kokë. Si pasojë, Rozina dhe Elvisa Dhimaku, 20 dhe 22 vjeçe, ndërruan jetë.

Nga aksidenti mbeti e plagosur edhe Antonela Zhupa, e cila u dërgua në spitalin e Traumës ku edhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë 23-vjeçari, i cili punon si specialist në Ministrinë e Brendshme, rezultoi se ishte i dehur në timon. Policia e Sarandës informoi se testi i parë i alkoolit rezultoi në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.