I akuzuar për vrasjen e shokut të Ervis Martinajt, Leonard Duka kërkon azil në Belgjikë: Në Shqipëri më rrezikohet jeta

Leonard Duka, i arrestuar në Belgjikë për llogari të autoriteteve shqiptarë në lidhje me vrasjen e ish-policit Santiago Malko, kërkon statusin e azilantit.

Duka pretendon se në Shqipëri po i rrezikohet ndërsa kjo është një lëvizje që ai t’i shpëtojë ekstradimit në vendin tonë.

37-vjeçari, i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje, u arrestua në 14 shkurt 2023 në një banesë private në një provincë të Brukselit.

Leonard Duka, njihet si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt, megjithëse më parë kishin qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit, më pas patën përplasje të ashpra pikërisht për këtë aktivitet.

Pas prishjes së ortakërisë mes tyre, Martinaj mori peng dhe keqtrajtoi babanë e Dukës. Pas kësaj, ishte radha e Dukës që të merrte hak ndaj Martinajt

Leonard Duka dhe klani i tij tentuan ekzekutimin e Martinajt, por duke qenë se dështuan me planin, vranë Santjago Malkon, mikun e “mbretit të bixhozit”, i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.