Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja dhe Irani janë më pranë një marrëveshjeje bërthamore se kurrë në vitet e fundit, por theksoi se ajo ende nuk është përfundimtare dhe se disa çështje kryesore mbeten të hapura.
Duke folur në një bisedë informuese me gazetarët, zyrtarë të lartë amerikanë thanë se negociatat me Iranin janë rreth “90-95%” të përfunduara dhe se marrëveshja e re pritet të jetë ndryshe nga ajo e arritur gjatë kohës së presidentit Barack Obama, nga e cila Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
“Ajo nuk është negociuar ende plotësisht. Prandaj, mos i dëgjoni humbësit, që kritikojnë diçka për të cilën nuk dinë asgjë”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
“Ndryshe nga ata para meje, që do të duhej ta kishin zgjidhur këtë problem shumë vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija”, shtoi ai.
Zyrtarët e administratës theksuan vazhdimisht se nuk do të ketë një marrëveshje të menjëhershme, pavarësisht përparimit të dukshëm në bisedime gjatë fundjavës.
“Nuk kemi arritur ende aty”, tha një zyrtar i lartë më 24 maj. “Nuk do të nënshkruajmë marrëveshje sot apo nesër”, theksoi ai.
Irani duket se lëshon pe për rezervat e uraniumit
Përparimi më i madh në negociata duket se lidhet me rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, të cilat, prej kohësh, janë pengesë kryesore në bisedime.
Sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump, Teherani ka rënë dakord “në parim” që të heqë dorë nga rezervat e uraniumit pranë nivelit për armë bërthamore, megjithëse ende janë duke u negociuar mënyrat e zbatimit dhe verifikimit.
“Çështja është se si do të bëhet kjo”, tha zyrtari, duke kundërshtuar pretendimet se Irani ka refuzuar ta dorëzojë materialin.
Aktualisht, Irani posedon mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar në 60 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore – një nivel shumë përtej nevojave civile dhe vetëm një hap teknik larg nivelit për armë bërthamore.
Burimet iraniane sugjerojnë se një nga zgjidhjet mund të jetë hollimi i uraniumit nën mbikëqyrjen ndërkombëtare të agjencisë bërthamore të OKB-së.
Një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se është duke u diskutuar një kornizë që parashikon një afat 60-ditor për finalizimin e një marrëveshjeje të plotë.
“Pa pluhur, pa dollarë”
Zyrtarët e administratës Trump argumentojnë se korniza e re e marrëveshjes bazohet në kushte të rrepta dhe mekanizma të fortë zbatimi, për dallim, sipas tyre, nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 (JCPOA).
Ata përdorin vazhdimisht shprehjen “pa pluhur, pa dollarë” për të përshkruar strukturën e marrëveshjes së propozuar.
Sipas kësaj kornize, Irani do të përfitojë lehtësim gradual të sanksioneve vetëm pasi të përmbushë disa detyrime konkrete, përfshirë eliminimin e rezervave të uraniumit të pasuruar dhe ndalimin e ndërhyrjeve në trafikun detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Nuk do të ketë lehtësim pa e përmbushur Irani fillimisht pjesën e tij të marrëveshjes”, tha një zyrtar.
Zyrtarët theksuan, gjithashtu, se SHBA-ja nuk do t’i dërgojë Iranit pagesa direkte në para – një referencë e qartë ndaj kritikave të kahershme të republikanëve ndaj administratës së Obamës.
“Nëse ata nuk i përmbushin zotimet e tyre, atëherë nuk përfitojnë asgjë. Ne kemi vendosur mekanizma zbatimi”, tha një zyrtar.
Sipas administratës amerikane, Irani ka rënë dakord “në parim” që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, pa pengesa apo tarifa për anijet tregtare, ndërsa, në këmbim, Uashingtoni do t’i lehtësojë masat e tij të bllokadës detare.
Megjithatë, zyrtarët theksuan se opsionet ushtarake mbeten në tryezë, nëse diplomacia dështon.
“Kemi alternativa. Mund t’u rikthehemi goditjeve ushtarake nëse nuk arrihet marrëveshja”, tha një zyrtar.
Llogaritjet rajonale dhe politika e brendshme në Iran
Zyrtarët e administratës e paraqesin këtë proces jo vetëm si një marrëveshje për çështjet bërthamore, por edhe si pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndikuar në balancat e brendshme të pushtetit në Iran.
“Qëllimi kryesor është të fuqizohen elementet më të moderuara në Iran, në mënyrë që të zbehet ndikimi i linjës së ashpër”, tha një zyrtar, duke shtuar se, sipas inteligjencës amerikane, të moderuarit janë duke fituar terren, edhe pse konservatorët e fortë vazhdojnë të kenë kontroll të konsiderueshëm.
Zyrtarët nuk pranuan të thonë qartë nëse presioni ushtarak apo sanksionet ekonomike kanë ndikuar më shumë në ndryshimin e qëndrimit të Teheranit, por pranuan se negociatorët iranianë janë duke bërë lëshime – veçanërisht për pasurimin e uraniumit.
Zyrtarët zbuluan, gjithashtu, se Trump u ka bërë trysni liderëve rajonalë, përfshirë ata nga Arabia Saudite, Katari dhe Pakistani, që të mbështesin një proces më të gjerë normalizimi në rajon, që përfshin edhe Izraelin – një kërkesë që, sipas raportimeve, i ka zënë në befasi disa prej tyre.
“Kishte heshtje në linjë dhe Trump bëri shaka, duke pyetur nëse janë ende aty”, tregoi një zyrtar amerikan.
Aktualisht, Shtëpia e Bardhë është duke bërë përpjekje të shfaqë optimizëm të kujdesshëm.
Zyrtarët këmbëngulin se ka ende shumë punë, përpara se të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
“Nuk ka marrëveshje, derisa të ketë marrëveshje”, tha një zyrtar.