I akuzuar për krime lufte, arestohet një shqiptar në Merdare

Policia serbe ka arrestuar një burrë 77-vjeçar në pikëkalimin kufitar të Merdarës, nën dyshimin për përfshirje në krime lufte gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 në Kosovë.

Në një njoftim për media, Ministria e Brendshme e Serbisë e identifikoi të dyshuarin vetëm me inicialet H.H. dhe tha se ai akuzohet se në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka vrarë me armë zjarri një civil serb.

Nuk është bërë e ditur data e saktë e ndalimit, por autoritetet serbe konfirmuan se 77-vjeçari është dërguar në paraburgim për 48 orë dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për këtë arrestim, por deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar.

Ky rast vjen në vazhdën e ndalimeve të shtetasve shqiptarë nga autoritetet serbe, përfshirë edhe arrestimet e fundit në pikën kufitare të Horgoshit, mes Serbisë dhe Hungarisë, ku u ndaluan dy persona nën akuza për krime lufte në bashkëpunim me UÇK-në.

Më 22 korrik, u arrestua edhe Lulzim Halili, për të cilin autoritetet serbe pretendojnë se ishte pjesëtar i UÇK-së – një akuzë e mohuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

Po ashtu, muajin e kaluar, në pikën kufitare Batrovci u ndalua Behar Preniqi, por deri tani ndaj tij nuk është bërë publike asnjë akuzë konkrete.

Kosova i ka cilësuar këto arrestime si veprime arbitrare dhe ka kërkuar lirimin e personave të ndaluar.

Ndërsa më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, bashkëpunimi për çështjet e krimeve të luftës ka mbetur thuajse inekzistent./REL