I akuzuar për korrupsion zgjedhor, nis gjyqi ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla

Ditën e sotme është zhvilluar seanca e parë në Gjykatën e Posaçme ndaj kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.

Pas përfundimit të seancës, Memolla në një komunikim me gazetarët tha se është i gatshëm te perballet me drejtësinë.

“Isha për të dhënë deklaratën time para gjykatësve. Është një proces që ju e dini. Shpresoj që drejtësia do të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe që unë jam i pafajshëm në këtë proces. Kam qenë gjithmonë i gatshëm”, deklaroi Memolla.

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.

Përveç korrupsionit zgjedhor, Memolla po hetohet nga SPAK edhe për pastrim parash, pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit.

Seanca e radhës është në 23 qershor dhe pritet që avokatët të parashtrojnë provat dhe kundërshtimet e tyre.