Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Iran, Trump: Mos e shkelni

Donald Trump thotë se një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi, pas 12 ditësh sulmesh vdekjeprurëse që ngritën frikën e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Izraeli thotë se ra dakord për armëpushimin pasi “eliminoi kërcënimin bërthamor iranian”. Irani më parë tha se do t’i ndalte sulmet e tij vetëm nëse Izraeli do të bënte të njëjtën gjë.

Disa orë para se armëpushimi të hynte në fuqi, Izraeli dhe Irani vazhduan të kryenin sulme vdekjeprurëse.

Teherani duroi një nga netët e tij më të këqija të konfliktit, shkruan BBC, ndërsa katër persona u vranë në Izrael, thonë zyrtarët.

Kjo vjen pasi Irani lëshoi ​​raketa në bazën ajrore amerikane në përgjigje të sulmeve në vendet e tij bërthamore gjatë fundjavës – Katari tha se të gjitha raketat u kapën.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump kishte ndërmjetësuar marrëveshjen për armëpushim gjatë një telefonate me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Izraeli kishte rënë dakord, me kushtin që Irani të mos kryente më sulme të tjera.

“Me supozimin që gjithçka do të funksionojë siç duhet dhe do të funksionojë, dua të përgëzoj të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për durimin, guximin dhe mençurinë që treguan për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet ‘LUFTA 12-DITORE’,” shkroi Trump në Truth Social.