Humb qetësinë ministri i Drejtësisë Manja, kërcënon në Kuvend deputetin e opozitës Shehaj pse e kritikoi për amnistinë

Deputeti Agron Shehaj është përplasur sot me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, në lidhje me amnistinë penale, dhe lirimin nga qelia të disa prej të dënuarve me korrupsion.

Deputeti Agron Shehaj iu rikthye deklaratave të ministrit Manja, i cili kishte gënjyer në Kuvend se nga amnistia nuk do përfitonte asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO dhe se nuk do të kishte as ulje të dënimit për ta.

Por këto deklarata nuk i pëlqyen aspak ministrit Manja, i cili u gjend përballë të vërtetës që deputeti Shehaj ia përplasi në fytyrë.

Por Manja nuk u mjaftua me kaq duke e kërcënuar deputetin Shehaj, duke i thënë se do ‘ti këpuste veshin’ dhe se shteti duhej të merrej seriozisht me të, duke marrë parasysh se deputetit para pak kohësh i mbyllën zyrat e biznesit të tij.

“Shteti do të duhet të merret seriozisht me ty. Do të vijë dita që fytyra jote prej ëngjëlli të dalë ashtu siç është në të vërtetë”, iu drejtua Manja deputetit Shehaj.

Ministri humbi qetesine, vetëm se Shehaj i kërkoi po ashtu dorëheqjen, për shkak se i tha të vërtetën që Manjes nuk i pëlqeu aspak.

“Ishte e qartë që ministri Manja po gënjente në mënyrë të turpshme dhe banale. Thoshte se nga amnistia nuk do të përfitonin të korruptuarit dhe të dënuarit nga GJKKO. Ka 4 muaj që e thote. Ky parlament ka parë mashtrime dhe gënjështra pa fund, por kjo që ka ndodhur me amnistinë e të korruptuarve kalon cdo rekord. Ministri i Drejtësisë në emër të qeverisë deklaroi në këtë Parlament: nuk do të përfitoj nga amnistia asnjë i dënuar nga GJKKO dhe asnjë i dënuar për korrupsion. Po citoj deklaratën e Manjës. As ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO. Kjo ishte deklarata” tha mes të tjerash Shehaj.