Arrestimi i Vlora Hysenit duket se ishte një rrufe në qiell të hapur për Edi Ramën, që lajmin e mësoi në orët e vona të natës, ndoshta kur dikush e zgjoi nga gjumi për t’ia komunikuar, për shkak se kryeministri ndodhet në SHBA.
Ndërsa për Shqipërinë ishte një nga ditët më të zeza, që tregoi fare qartë se deri ku krimi i organizuar i ka shtrirë tentakulat, duke arritur të kontrollojë edhe institucionin që duhej të ishte shtylla e sigurisë kombëtare.
Si çdo herë tjetër, edhe për këtë çështje pati një reagim të Edi Ramës, që ka gjithmonë fatin e keq që bashkëpunëtorët t’i hanë “dardha e mollë” pas shpine.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë nuk vijoi t’i ndalë vlerësimet për Vlora Hysenin, ish-shefen e SHISH që i jepte infromacione sekrete Ergys Agasit, duke e ndihmuar këtë të fundit t’i shpëtonte arrestimit nga policia për muaj me radhë.
Por, mes rreshtave të tekstit me të cilin synonte të bindte shqiptarët se ai dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë faj për këtë që ndodhi, janë edhe disa disa fjali që e bëjnë gjithë reagimin të jetë në kontradiktë me veprimet e tij.
“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik…
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, shkruan Rama ndër të tjera në reagimin e tij.
Por a e ka zgjedhur vërtet Rama dhe Partia Socialiste që ai drejton rrugën e pavarësisë të organeve të gjyqësorit? A ka zgjedhur Edi Rama dhe PS të mos bëjnë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë?
Sigurisht që jo, pasi vendimi për të mos lejuar SPAK të arrestonte Belinda Ballukun tregon më së miri se çfarë rruge ka zgejdhur kryeministri dhe partia e tij.
Edi Rama e bëri avokatinë e Belinda Ballukut edhe pse ajo akuzohet nga SPAK për abuzime në tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, ndërkohë që nuk guxoi as ta largonte nga qeveria, deri në momentin që SPAK vendosi ta pezullojë Ballukun nga detyra.
Ndaj, teksa lëshon Vlora Hysenin në duart e drejtësisë, Rama duhet të ndalë hipokrizinë se nuk do të përfshihet në punët e drejtësisë, pasi tashmë e ka bërë. Dhe e ka bërë në mënyrën më të keqe të mundshme, duke ndaluar SPAK të arrestojë një nga njerëzit që ka abuzuar më shumë me pushtetin dhe paratë e qytetarëve.
Dhe pas gjithë kësaj mbetet edhe një pyetje më e madhe: a është vërtet shqetësimi i Ramës pavarësia e drejtësisë, apo frika se një ditë drejtësia mund të trokasë edhe në derën e tij?