Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar se aktualisht janë duke u hetuar 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, mes tyre tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër.
Në përgjigje të interesit të medias, SPAK u shpreh se hetimet përfshijnë vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.
Për arsye të ruajtjes së sekretit hetimor, emrat dhe akuzat konkrete ndaj funksionarëve të lartë nuk janë bërë publike.
Por, disa ditë më parë, SPAK i tha Top Channel se për 140 deputetët e mandatuar të Kuvendit të Shqipërisë pas 11 majit nuk ka regjistruar asnjëri prej tyre si person nën hetim.
“Top Channel e mori këtë përgjigje nga SPAK-u, pasi i dërgoi emrat e deputetëve të shpallur fitues nga KQZ-ja. Për shkak të shumë akuzave publike nga të gjitha palët, të ngritura veçanërisht, para zgjedhjeve, pyetja ishte direkt: A ka deputetë nën hetim? Përgjigja e SPAK-ut nuk ishte aq e drejtpërdrejtë, por, tani për tani, mjaftueshmërisht e kënaqshme për politikanët e vjetër dhe të rinj, në maxhorancë dhe në opozitë”, raportoi Top Channel.
“Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thotë SPAK për Top Channel.
Megjithatë, pavarësisht dy deklaratave të ndryshme nga SPAK, në shtator nis dhe jeta parlamentare dhe mbetet për t’u parë se si do jetë fati i personave nën hetim si dhe deputetëve të rinj, të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.