Hashim Thaçi takohet me familjarët në zyrat e EULEX-it në Kosovë

Vëllezërit e ish-presidentit Hashim Thaçi e kanë vizituar atë teksa kaloi natën në ambientet e EULEX. Pas përfundimit të takimit, ata thanë se Thaçi është mirë me shëndet, por nuk u lejohej të flisnin më shumë.

Gjykata e Hagës i dha leje Hashim Thaçit të kthehej në Kosovë për të shkuar në varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.

Teksa vizitoi varrin e të atit, ai la edhe një kurorë me lule me mbishkrimin: “Te varri yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falenderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”.

Kjo është vizita e dytë në Kosovë e Hashim Thaçit brenda një intervali të shkurtër kohor.

Vizita e parë ishte më 13 mars ku për disa orë ai ka qëndruar në QKUK për të vizituar babanë që po trajtohej aty, që më vonë u kuptua se ishte në ditët e fundit të jetës.

Pasi të takohet me familjarët, Thaçi do të kthehet sërish në Hagë.