Kreu i Grupit Parlamentar në PD, Gazmend Bardhi ka kërkuar interpelancë nga kryeministri Edi Rama, për çeshtjen e inceneratorëve.
Kërkesa e Bardhit vjen pasi Kuvendi i hoqi imunitetin Arben Ahmetajt, i cili është kërkuar të arrestohet nga SPAK.
Deputeti i PD tha se ai dhe kolegët e opozitës kërkojnë që Rama të japë shpjegime lidhur me këtë aferë pasi ka përgjegjësi dhe duhet të sqarojë se si po sigurohet arratisja e të përfshirëve në këtë aferë.
Në kërkesën e nënshkruar nga jo më pak se 7 deputetë demokratë, theksohet se: “Në më shumë se një rast, organet e drejtësisë kanë konstatuar se të tre procedurat e koncesionit/PPP janë kryer në shkelje të ligjit, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm të konsiderueshëm financiar. Madje është fakt që edhe pse janë paguar miliona euro nga Buxheti i Shtetit, problem i mbetjeve në qarqet Elbasan, Fier dhe Tiranë nuk është zgjidhur ende”.
Dy janë cështjet që evidentojnë deputetët dhe për të cilat duhet të japë shpjegime Kryeministri Edi Rama:
1. Identifikimin e vendndodhjes së bashkëpunëtorit të tij më të afërt dhe dorëzimin e tij drejtësisë. Sot cdo qytetar shqiptar pyet Kryeministrin Edi Rama: Ku fshihet ish-Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj?
2. Paratë e Buxhetit të Shtetit që janë paguar për punë të pakryera apo për punime fiktive, a janë rikthyer në Buxhetin e Shtetit? Përsa kohë inceneratorët janë rrjedhojë e veprimeve korruptive dhe të paligjshme, pse vijohet me ekzekutimin e kontratave dhe me pagesat nga Buxheti i Shtetit për konpanitë në pronësi të tre personave në kërkim ndërkombëtar?
Në kërkesën e dorëzuar këtë të hënë në Kuvend deputetët theksojnë se: “Edhe pse tashmë rezulton e provuar që në këtë aferë me vlerë të paktën 430 milion euro, Buxhetit të Shtetit i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm financiar, nuk rezulton që institucionet shtetërore të kenë ndërmarrë veprime për të korrigjuar paligjshmërinë dhe për të shmangur dëmin financiar për Buxhetin e Shtetit. 3 pronarët e deklaruar të inceneratorëve janë persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar, por edhe pse në arrati institucionet shtetërore vijojnë të jenë financues të tyre, duke vijuar pagesat për punë të pakryera. Praktikisht, institucionet shtetërore përmes pagesave nga Buxheti i Shtetit po shërbejnë si financues të jetesës së tyre në arrati”.