Greqia i vështirëson vizitën Ramës, kryeministri s’ka gjetur ende vendin për takimin me shqiptarët në Athinë

Kryeministri Edi Rama duket se nuk e ka gjetur ende një vend ku ai do të zhvillojë një takim me shqiptarët që jetojnë në Athinë.

Një ditë pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se vizita e Ramës në këtë moment ishte e panevojshme, Protothema shkruan se me urdhër të kryebashkiakut të Athinës kreut të qeverisë i janë refuzuar vendet alternative ku mund të mbahej takimi.

Gazeta thekson se qeveria greke ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që çdo kërkesë të tyre për aktivitet në Athinë ta bëjnë me shkrim dhe shton se e vetmja alternativë është një sallë me një kapacitet prej 1 mijë personash, por Rama kërkon një ambient me kapacitet deri në 5 mijë.

Një alternativë që kanë ata tani është holli Melina Merkouri, e cila ka një kapacitet prej 1 000 personash, ndërkohë që shqiptarët kanë kërkuar një ambient me kapacitet 4000-5000 persona. Ka patur dhe një shfaqje interesi për një ambient ku luan Olympiakosi, por nuk ka patur një kërkesë me shkrim për këtë gjë”, shkruan gazeta greke.

Athina Zyrtare nuk e ka mirëpritur vizitën e Ramës më 12 maj në Athinë, duke thënë se do të ishte më mirë që ajo të mbahej pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian.