Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim autorët e grabitjes dhe vrasjes së 89-vjeçarit Çaush Shehaj në fshatin Klos të Mallakastrës.
Bëhet fjalë për Ervis Halimi, Musa Gudo dhe shtetasi me iniciale F.Ç, të cilët akuzohen për veprat penale vjedhja me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim dhe mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.
Hetimet kanë provuar se më 19 nëntor 2022, rreth orës 02:00, këta persona kanë vjedhur me armë banesën e 89-vjeçarit Çaush Shehaj, të cilin edhe e kanë dhunuar fizikisht. Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e fytyrës dhe të trupit, i moshuari ndërroi jetë.
Autorët i shkaktuan plagë të rënda në trup edhe bashkëshortes së 89-vjeçarit. Ngjarja e dy viteve më parë tronditi banorët e fshatit Klos në Mallakastër.