Një tjetër rast prostitucioni është goditur nga policia e kryeqytetit ndërsa e përfshirë është edhe një efektive e policisë. Në pranga janë vendosur 8 tutorë ndërsa në kërkim janë shpallur 3 persona të tjerë, pasi shfrytëzonin vajza të huaja për prostitucion. Në mesin e të arrestuarve është edhe një oficere, nënkomisare e Komisariatit nr. 4 në Tiranë.
Kjo e fundit, Anisa Brahja merrej me akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku 44 vajzat nga Amerika Latine do të ushtronin prostitucion.
Raportohet se vajzat akomodoheshin kryesisht nëpër Airbnb. Çmimet që paguheshin nga klientët ishin relativisht të larta, nga 200 deri në 250 euro.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor “Orkidea” për parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Ekzekutohen 11 masa sigurie, vihen në pranga 8 shtetas, shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Procedohen penalisht 44 shtetase të huaj nga Amerika Latine për prostitucion.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat e një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe me Operacionalen e DVP Tiranë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Orkidea” si rezultat i të cilët u ekzekutuan 11 masa sigurie , konkretisht:
-Arrest me burg për shtetasin E. S., 39 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit”;
-Arrest në shtëpi për shtetasen E. M., 47 vjeçe,, si e dyshuar për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e kryer ne bashkëpunim , “Shfrytëzim i prostitucionit” ;
-Arrest me burg për shtetasen Y. G., 33 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen L. V., 23 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion”, “Shfrytëzim i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B, 27 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion”, “Veprim që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”;
-Arrest me burg për shtetasen S. M., 29 vjeçe, për veprën penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;
-Arrest me burg për shtetasen N. B., 27 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”:
-Arrest në shtëpi për shtetasen A. B., 34 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Si dhe u shpallën në kërkim 3 shtetas të dyshuar të përfshirë në këtë aktivitet krimianal.
Shtetasja G. R. 47 vjeçe, (e shpallur në kërkim) drejtonte këtë aktivitet nga Kolumbia dhe në Shqipëri bashëpunonte me shtetasin E. S., ky i fundit ishte personi përgjegjës për sigurimin e kushteve në Shqipëri për të ushtruar prostitucion.
Po ashtu nga hetimi ka rezultuar se shtetasja G. R dhe shtetasi E. S, bashkëpunonim me shtetaset kolumbiane dhe me shtetasen E. M dhe A. B(punonjëse policie) për akomodimin dhe përshtatjen e ambienteve ku këto shtetase do të ushtronin prostitucion.
Punohet për kapjen e 3 shtetasve në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.