Goditet organizata kriminale në Greqi, 49 persona të arrestuar

Një operacion i gjerë policor në Greqi ka çuar në shpërbërjen e një organizate kriminale të fuqishme në Kretë, e njohur tashmë si “mafia e Kretës”.

Autoritetet greke kanë arrestuar 49 persona të përfshirë në aktivitetet e rrjetit kriminal, ndërsa kanë sekuestruar një sasi të madhe armësh, droge dhe parash.

Një dhomë e tërë brenda një komisariati policie në Greqi është mbushur me sendet e konfiskuara nga ky operacion. Fotot e publikuara nga mediat greke tregojnë armë luftarake dhe gjahu, pistoleta, municione të kalibrave të ndryshëm, këllëfe armësh, qese me drogë, kartëmonedha euro, telefona celularë dhe pajisje të tjera që dëshmojnë për veprimtarinë e organizuar të grupit.

Sipas zëdhënëses së shtypit të Policisë Helene, Constantia Dimoglidou, hetimi nisi nga një rast trafiku droge, por shumë shpejt u shtri në një rrjet të madh kriminal me lidhje të fuqishme dhe të strukturuara, që përfshinte edhe trafik armësh, përfshirë kallashnikovë.

Xhiro kriminale prej 3 milionë euro

Sipas vlerësimeve të policisë, organizata kishte një xhiro të përgjithshme prej rreth 3 milionë euro. Rreth 1.1 milionë euro vinin nga trafiku i drogës, ndërsa pjesa tjetër, 1.5 milionë euro, nga aktivitete të tjera të paligjshme.

Hetimet tregojnë se çdo anëtar i grupit merrte një pjesë të fitimeve, por pjesa më e madhe e të ardhurave përfundonte në duart e dy vëllezërve biznesmenë, të cilët konsiderohen si krerët e mafias në Kretë.

Operacioni konsiderohet si një ndër goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar në ishullin e Kretës vitet e fundit.