Goditet grupi kriminal i trafikimit të armëve në Tiranë, 9 të arrestuar  

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rrjeti”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në tregtinë e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në pranga kanë rënë Marsel Varka, 35 vjeç, Elsaed Maqinaj, 25 vjeç, Fabian Zako, 29 vjeç dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Ndërkohë, policia po vijon punën për kapjen e Kevin Vilës, 21 vjeç dhe Bledar Avdillarit, 28 vjeç, të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit, uniformat blu sekuestruan 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni luftarak.

Sipas hetimeve, gjashtë personat e përfshirë në këtë fazë të operacionit bashkëpunonin me pesë shtetas të tjerë të arrestuar më herët, duke formuar një grup të mirëorganizuar kriminal që siguronte armë dhe lëndë plasëse për t’i shitur në pika të ndryshme të Tiranës.

Më herët, janë arrestuar edhe Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.

Deri më tani janë arrestuar në total 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë tritoli, sasi të mëdha municioni luftarak, 4 automjete dhe 13 aparate celularë.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.