Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat e fundit në Tiranë po shoqërohen me një valë të organizuar dezinformimi, e cila sipas tij po shtrembëron realitetin dhe po krijon perceptime të rreme në opinionin publik.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, kreu i qeverisë tha se institucionet shqiptare po mbledhin prova dhe të dhëna që sipas tij, tregojnë përdorimin e materialeve të manipuluara me inteligjencë artificiale, përfshirë dhe informacione të fabrikuara.
Rama u shpreh se autoritetet janë duke përgatitur dokumentacion që do të bëhet publik në një moment të mëvonshëm, me synimin për të treguar mënyrën se si po përhapen narrativat e rreme përmes rrjeteve dhe burimeve të ndryshme online.
Kryeministri përmendi Iranin si një nga vendet që sipas informacioneve që disponon qeveria, ka tentuar të shfrytëzojë situatën për interesa të lidhura me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
“Nuk flas për aktorë dashakeq. Ka vetëm një aktor të tillë që është Irani. E dimë me fakte. Unë nuk kam thënë kurrë dhe nuk e them që Irani e shpiku, por them që Irani u hodh menjëherë në këtë histori,” deklaroi Rama.
Në deklaratën e tij, Rama kujtoi edhe sulmet kibernetike që Shqipëria ka atribuar më herët Iranit, duke sugjeruar se vendi ka qenë prej kohësh objekt i aktiviteteve të tilla.
Kreu i qeverisë hodhi akuza edhe ndaj konkurrencës rajonale në sektorin e turizmit, duke pretenduar se janë shpërndarë informacione të rreme me qëllim dëmtimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik.