Goditet banda kriminale e Edison Pulës, grabitën sende me vlerë 1 milionë euro në shtëpitë e VIP-ave në Francë dhe Belgjikë

Shtatë anëtarë të dyshuar të një rrjeti kriminal shqiptar, përfshirë liderin e tij, janë akuzuar për rreth pesëdhjetë vjedhje të banesave luksoze dhe figurave publike në Francë dhe Belgjikë. Bëhet fjalë për banden shqiptare “Nikla” , e drejtuar nga Edison Pula.

Ata dyshohet se kanë vjedhur mallra me vlerë më shumë se një milion euro, janë burra dhe gra të kombësisë shqiptare , tha një burim brenda xhandarmërisë për AFP.

Edison Pula, së bashku me një tjetër grabitës u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët u kapën më 4 mars pranë Reims. 30-vjeçari i lindur në Krujë është dënuar me 14 vjet burgim, për vepra penalet “vrasja me paramendim”, “shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “vjedhja me dhunë”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “vjedhja” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi mbi 650.000 euro sende të vjedhura, duke përfshirë bizhuteri, orë të shtrenjta, çanta luksi, para cash dhe automjete. Hetimet zbuluan se viktimat kryesore ishin biznesmenë të zonës së Reimsit dhe futbollistë të njohur.